Kampionia erdhi në shtëpi

Majlinda Kelmendi mbërriti në Prishtinë pas triumfit në Kampionatin botëror të xhudos në Rusi. Ajo u shpreh e lumtur për suksesin e arritur kurse trajneri Driton Kuka tregoi për vështirësitë me të cilat u ballafaquan.

Sport

29/08/2014 21:44

Majlinda Kelmendi mbërriti në Kosovë. Xhudistja pejane erdhi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ ku u prit nga Ministri i Sportit, Memli Krasniqi.

Ajo së bashku me trajnerin e saj, Driton Kuka, u uruan për suksesin e arritur në Kampionatin botëror të xhudos në Rusi, ku Majlinda u stolis me medaljen e artë. 

“Sigurisht që është emocion shumë i madh, ka qenë konkurrenca shumë e fortë. Nuk thuhet kot se më e vështirë është të mbrohet titulli se sa të fitohet. Sigurisht se jam shumë e gëzuar’, deklaroi Majlinda për “RTK”.

“Me përsërit titullin e kampionit të botës në sportin e xhudos është diçka e veçantë. Dhe, tashmë për rezultatet e Majlindës do të flitet në historinë e sportit botëror, dhe jo vetëm të Kosovës. Në kategorinë e Majlindës nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë më parë që dikush të mbrojë titullin. Majlinda ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm për faktin se gara zhvillohej në Rusi. Por, të gjitha këto i kaluam në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh trajneri Driton Kuka, i cili falënderoi edhe Ministrin Krasniqi për përkrahjen e tij.