Kampionët e botës nuk kanë të ndalur, Holanda viktima e radhës

Të përzgjedhurit e Didier Deschamps kanë regjistruar fitoren e parë në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Holandën me rezultatin 2:1.

Sport

09/09/2018 22:35

Nuk u deshën shumë minuta që derbi mes gjigantëve evropian të zhbllokohej. Ishte Kylian Mbappe i cili në minutën e 13’ kaloi Francën në epërsi, pas asistit të pranuar nga Matuidi.

Pjesa e parë përfundoi me atë gol, duke na treguar dy skuadra tejet të taktizuara që prisnin gabimin e kundërshtarit.

Pjesa e dytë solli fytyrë tjetër të takimit. Të dyja skuadrat luajtën futboll më të hapur dhe golat nuk munguan.

Holandezët befasuan kampionin në fuqi kur në minutën e 67’, Ryan Babel, shfrytëzoi për mrekulli asistin e Tete për të barazuar shifrat në 1:1.

Festa për “tulipanët” nuk zgjati shumë, pasi ishte sulmuesi i Chelsea, Giroud, me një goditje “Volley” tundi rrjetën e holandezëve për herë të dytë, kur po luhej minuta e 76’.

Ndeshja e radhës e grupit të dytë në Ligën A, do të luhet ndërmjet Holandës dhe Gjermanisë. /Lajmi.net/