Kamerat e sigurisë i kanë kapur problematikët në stadium

Stadiumi i posarinovuar dhe i modernizuar me një investim prej 9 milionë eurosh ka shpëtuar nga rreziku i pësimit të dëmtimeve qysh në ndeshjen e parë që e priti, atë të së hënës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, për Superkupën e Kosovës, raporton “Zëri”.

Sport

14/08/2018 20:36

Dhjetëra flakadanë janë ndezur nga “Intelektualët” e Dritës dhe janë hedhur në fushë, në një pjesë ku është vendosur bar artificial, dhe si i tillë ka rrezikuar të digjet.

Por, flakadanë të ndezur janë parë edhe në tribunë, duke i rrezikuar karriget. Sidoqoftë, FFK-ja thotë se stadiumi ka shpëtuar pa e  pësuar asnjë dëmtim infrastrukturor.

“Asnjë karrige nuk është thyer apo nuk është dëmtuar. Asnjë dëmtim nuk ka ndodhur sepse kemi dalë në stadium për ta parë gjendjen e tij pas ndeshjes”, tha FFK-ja për “Zërin”, duke konfirmuar se personat që kanë shkaktuar probleme në stadium mund të identifikohen dhe të përballen me Ligjin për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në sport.

“Mund të ju konfirmojmë se përmes sistemit të kamerave të sigurisë mund të lokalizohen apo të identifikohen personat që kanë ndezur mjete piroteknike në stadium. Por, ne nuk kemi mundësi sepse këto janë punë të institucioneve tjera”, theksoi shtëpia e futbollit.

Derisa tifozët gjilanas kanë ndezur mjete piroteknike në stadium, tifozët Prishtinës kanë reaguar me fishkëllima kundër tyre dhe thërrisnin Policinë t’i nxirrnin jashtë gjilanasit nga frika se mund t’ua dëmtonin stadiumin e qytetit të tyre. Reagimi i ashpër dhe nervozizmi te pjesa tjetër e publikut nga sjelljet e gjilanasve ishte mjaft i vërejtshim.