Kamer Qaka prezantohet te Steaua

Kamer Qaka u prezantua zyrtarisht si futbollisti më i ri i Steauas së Bukureshtit, pas një dite të ngarkuar për mesfushorin e kombëtares shqiptare që firmosi një kontratë 5-vjeçare me skuadrën më të madhe në Rumani.

Sport

17/05/2018 19:55

23-vjeçari u ble për 375 mijë euro nga Steaua, me Poli Iasin që gjithsesi ruan 25 përqind të kartonit të futbollistit në rast shitjeje.

Në intervistën e tij të parë të dhënë për mediat si lojtar i Steauas mesfushori u shpreh i lumtur për hedhjen e firmës mbi kontratë dhe faktin që do të mbajë veshur fanellën e klubit më të madh në Rumani duke e cilësuar si një transferim të rëndësishëm për të dhe familjen e tij. Synimi i Qakës me Steauan është të fitojë titullin kampion në të ardhmen ndërsa nuk i trembet kritikave të Gigi Becalit, që njihet si një president që shpesh kritikon lojtarët e tij në publik.

Firma me Steauan për Qakën mund të jetë një mundësi e mirë dhe për lojtarin për të përforcuar pozitat e tij në kombëtare e shpresën se do të shndërrohet në një zgjedhje të përhershme nga trajneri Panucci duke e cilësuar në mediat rumune një krenari faktin që luan për Shqipërinë dhe duke shprehur dëshirën që t’i bashkohet sa më shpejt skuadrës së tij të zemrës, siç e cilësoi ai ekipin kuqezi.

Nga kontrata me Steauan, Qaka do të përfitojë një pagë progresive, e cila në termat financiarë do të vij në rritje vit pas viti.