Kamberi shpalosi programin e arsimit për Mitrovicën

Kandidati për Kryetar të Mitrovicës nga LDK, Safet Kamberi, në një takim me punëtorët e arsimit ka shpalosur programin e LDK-së për arsim.

Lajme

26/09/2017 11:10

 

Ndër të tjera ai ka njoftuar të pranishmit për tetë prioritetet e qeverisjes.

Ai ka thënë parasheh që Mitrovica të jetë qytet universitar, me arsim në funksion të kërkesave të tregut” ku parashohim:

“Rregullimi i  infrastrukturës në tërësi përreth Kampusit Universitar në Mitrovicë, në mënyrë që ai vend të jetë një qendër universitare e cila do të gjenerojë zhvillim dhe hapje të bizneseve të reja në shërbim të studentëve”, tha ai.

Ai po ashtu shtoi se edukimi nga moshat e hershme do të jetë prioritet i qeverisjes së tyre.

“Dy çerdhe të reja, në Iliridë dhe në Shipol; (Çerdhja në Iliridë do të vendoset në objektin ku aktualisht është AMF-ja, kurse AMF-ja do të zhvendoset në objektin pranë saj). Do të investojmë në cilësinë e mësimdhënies në shkollën e mesme teknike, do ta bëjmë atë atraktive për nxënës, në mënyrë që të përgatiten kuadro sipas kërkesave të tregut për regjionin e Mitrovicës…”, tha ndër të tjera, Kamberi.