Kaloi nëpër semafor të kuq, policia zbuloi 14 kosovarë dhe afganë të trafikuar

Po të vepronte sipas rregullave të trafikut, shoferi hungarez, një i ri 21 vjeçar, nuk do të ndalohej nga policia. Në këtë mënyrë ai nuk do të zbulohej nga policia për veprimtaria e tij përkatësisht kontrabandën e njerëzve.

Lajme

01/10/2014 19:02

Edhe pse në rrugë ishte ndezur drita e kuqe e semaforit, shoferi hungarez kishte vazhduar rrugën dhe kjo kishte bërë që polica ta ndalonte. Në automjetin e tij policët patën çka të zbulonin: 14 persona pa dokumentacion të vlefshëm ishin futur në kombibusin pa ulëse.

Shpejt u konstatua se bëhej fjalë për kosovarë dhe afganë të futur ilegalisht nga Hungaria, ku ata kishin bërë më parë kërkesë për azil. Pasi që konsideronin se në Gjermani kishin perspektivë më të mirë, kishin vendosur të udhëtonin për atje, bën të ditur policia, njofton augsburgernachrichten.de.

Si transmeton Albinfo.ch, 14 refugjatët nga Kosova dhe Afganistani janë dërguar për t`u regjistruar në inspektoratin policor në Mynih, kurse trafikuesi i tyre i është dorëzuar gjykatësit hetues.