Kallëzim penal ndaj Agim Bahtirit për kërcënim ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi

Policia e Kosovës, konkretisht departamenti i hetimeve ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, pasi që i njëjti me datë 23.07.2018 nëpërmjet telefonit e kishte kërcënuar dhe sharë gazetarin Shkumbin Kajtazi.

Lajme

02/08/2018 11:32

Policia ka bërë të ditur se pas denoncimit të rastit nga gazetari Shkumbin Kajtazi, në kuadër të autorizimeve ligjore i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, ku pas përfundimit të hetimeve ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kërcënuesit Agim Bahtiri, njofton Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Bazuar në procedurat ligjore  Policia e Kosovës ka ndërmarr te gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Rasti është kompletuar dhe është dërguar në prokurorinë kompetente”, bën të ditur Policia e Kosovës.

Kujtojmë se, që nga janari i këtij viti e deri me tash, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar gjithsej 13 raste të gazetarëve. 2 nga këto raste janë sulme fizike, 10 raste të tjera janë kërcënime verbale dhe 1 rast tjetër është dëmtim i pronës së një gazetareje./Lajmi.net/