Kalashnikov ndjehej fajtor

Mikhail Kalashnikov ndjehej përgjegjës për viktimat e shkaktuara nga pushka automatike AK-47, të cilën e shpiku ai. Këtë ai e kishte bërë të ditur në jë letër të cilën e ka dërguar tek patriarku rus, Kirill.

Bota

13/01/2014 19:16

Gjatë një rrëfimi para Patriarkut të Rusisë, Kirill, Mikhail Kalashnikov, me anë të një letre, kishte shprehur brengosjen e tij për pasojat e përdorimit të shpikjes së tij – automatikut AK-47.

Kalashnikov ka vdekur në moshën 95 vjeçare, më 23 dhjetor të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i patriarkut rus, Aleksandar Volkov, ka thënë se kjo letër ishte shkruar më 7 prill 2013.

“Kalashnikov e kishte dizajnuar këtë pushkë automatike për të mbrojtur atdheun e tij, e jo që ajo të përdorej nga terroristë nga Arabia Saudite”, thotë Volkov.

Gazeta ruse “Izvestia” ka raportuar se Kalashnikov i ka shkruar letër kreut të Kishës Ortodokse Ruse, tetë muaj para vdekjes, në të cilën ka shprehur frikë për përgjegjësinë e tij.

Aleksandr Volkov, zëdhënës i patriarkut Kiril, ka thënë se ky i fundit është përgjigjur, duke thënë se Kalashnikovi ka qenë “shembull i shkëlqyer i patriotizmit”.

“Dhembja është e padurueshme… Nëse pushka ime ka shërbyer për të marrë jetën e njerëzve, unë Mikhail Kalashnikov, djali i fshatarit dhe i besimit krishter ortodoks, jam përgjegjës për të gjitha vrasjet, qoftë edhe ndaj armiqve”, thuhet në letrën të cilën Kalashnikov i kishte dërguar në adresë të Patriarkut Kirill, shkruan e përditshmja moskovite Izvestija.

Pushka automatike “Kalashnikov”, e ndërtuar më 1947, është arma më e preferuar e shumë ushtrive, por edhe e grupeve guerile terroriste. Vlerësohet se në botë ka rreth 100 milionë armë të kësaj marke.

Krijuesi emrin e të cilit e mbart edhe vetë kjo pushkë automatike, është vlerësuar disa herë me çmime të ndryshme, duke filluar nga Heroi i Punës së Socialistëve, Medaljen e Lenini dhe Çmimin e Stalinit.