Kadri Veseli për arrestimin e 5 serbëve: Të papranueshme kërcënimet ndaj qytetarëve tanë

Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli ka dënuar kërcënimet që po bëhen ndaj familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti serb. Madje Veseli ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona të dyshuar se kanë kërcënuar familjet e këtyre pjesëtarëve të FSK-së.

Lajme

10/07/2018 12:32

Ai, në një deklaratë në faqen e tij në Facebook ka thënë se provokime të tilla nga Serbia nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve në Ballkan.

“Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm.

Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata.

Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.

Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE.

Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”, ka thënë Veseli.