Kadare: Pacolli po punon ta afrojë Kosovën me Evropën

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar sot shkrimtarin Ismail Kadare në shtëpinë e këtij të fundit.

Lajme

08/11/2017 16:14

“Më vjen mirë, që e kam mysafir në shtëpi ministrin e jashtëm të Kosovës, z.Pacolli, që e kam takuar dhe në Kosovë. Më vjen mirë që ai ka vënë në dispozicion emrin e vet, suksesin e vet, autoritetin e vet në shërbim të Kosovës”, tha Kadare.

I pyetur si e konsideron faktin që ai ka zgjedhur Francën si një nga vendet e para për ta vizituar, Kadare tha:

“E vlerësoj shumë këtë fakt. Zoti Pacolli po kontribuon për ta afruar atë me Europën, sespe shqiptarët janë europianë, pjesa natyrale e Europës”, ka thënë Kadare.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, Ministri i Jashtëm e ka falënderuar shkrimtarin Kadare për kontributin e tij të çmuar, në mënyrë të veçantë për Kosovën, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

“Vizitën time zyrtare në Francë e kam filluar në shtëpinë e penës më të ndritur shqiptare, shkrimtarit të madh dhe tën johur e vlerësuar në gjithë botën, z. Ismail Kadare. E falënderova me gjithë zemër për kontributin e pazëvendësuar, që ai dha, veçanërisht për Kosovën, duke filluar me demonstratat e viteve 80, Rambujenë, me artikujt e shumtë në shtypin francez”, ka thënë Pacolli.