Kadare feston ditëlindjen e 81-të

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale

ShowBiz

28/01/2017 14:12

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare më 28 janar (sot) ka mbushur 81 vjet. Ai lindi në Gjirokastër dhe konsiderohet si shkrimtari më i madh shqiptar.

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Ai e ka ndarë jetën e tij mes Francës dhe Shqipërisë, dhe është martuar me shkrimtaren e njohur të skicave dhe tregimeve për fëmijë, Helena Kadare. Nga viti 2015, me pëlqimin e autorit, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi. Më 30 maj 2016, presidenti francez François Hollande i ndau Kadaresë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, i cilin ishte shpallur në fillim të po atij vitit, duke përkuar me muajin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

Ismail Kadare lindi më 28 Janar 1936 në Gjirokastër, Mbretëria Shqiptare në një familje myslimane me tradita.Ai ishte një nga tre fëmijët e Halit Kadare, i cili punonte si postier i Gjykatës së Gjirokastrës, dhe Hatixhe Dobit, e cila vinte nga familja e njohur Dobi e Gjirokastrës.

”Tregohet se në moshën 12 vjeçare Kadareja është arrestuar nga regjimi i sapo vendosur komunist me akuzën “falsifikues monedhash”.

Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare e mbaroi në vendlindje, ndërsa në pas zhvendoset drejt Tiranës për të filluar studimet universitare. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës ku diplomohet për Mësuesi. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960. Detyrohet t’i braktisë studimet për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BS [7]. Kthehet në Shqipëri dhe më pas punon ne gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les lettres albanaises.

Largimi në vitin 1990

Në vjeshtën e vitit 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua.

Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

Vepra

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenjtë të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).

Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981).

Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Njohja dhe vlerësimi ndërkombëtar

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Prince of Asturias, për Artet – që është një nga çmimet letrare më prestigoze në botë.

Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me cmimin Lerici Pea [8]. “Dhënia e cmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e cmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohoen liritë themelore”. Qëllimi i cmimit është promovimi i poezisë, në vecanti i poetëve të rinj, eksperimentimi i gjuhëve të reja poetike dhe njohja e poetëve të mëdhenj.

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Tituj të veprave

Ndër veprat më të njohura të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Ura me tri harqe, Prilli i thyer, Dosja H, Piramida, Pallati i ëndrrave, Kevin Rista. /Wikipedia.org