Kadaj-Bujupi pyet Thaçin se si i bleu deputetët e LDK-së

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, në fjalimin e saj në seancën e Kuvendit, ka ngritur akuza direkte ndaj dy krerëve të partive në pushtet, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

Lajme

26/02/2016 12:57

Në fillim të këtij fjalimi ka kërkuar nga kryeministri Mustafa që t’i tregojë nëse në kohën e Rrahman Morinës ka pasur kaq shumë forca policore sikurse tani.

Ajo ka vazhduar t’i akuzojë ata se po e kthejnë ndikimin e Serbisë brenda Kosovës. Ndërsa, ka kërkuar nga deputetët e LDK-së që të mos e votojnë kandidaturën e Hashim Thaçit për president.

Kadaj-Bujupi, gjithashtu e pyeti kreun e PDK-së, Hashim Thaçit, se si arriti t’i shantazhojë deputetët e LDK-së që të qëndrojnë në sallë, për t’i bërë kuorum.

“Në kohën e Rrahman Morinës a ka pas më shumë milicë, sa ka tash policë, dhe Hashimit me i thënë, marre të qoftë”.

“Me pasion shumë të madh keni vazhdu me e kthy Serbinë mbrapa në Kosovë. Unë nuk po befasohem nga ju, por nga kolegët që nuk po reagojnë e nesër do të dalin të kërkojnë vota”.

“Çfarë ju ke bërë deputetëve të LDK-së, me çka i ke ble apo shantazhu që nuk po reagojnë. Deputetët që janë në kundërshtim, janë jashtë duke protestuar e jo këtu”.

“Njeriu që sot po pretendon sot të zgjidhet president, qytetarët në protestë i quajti njerëz me bisht, kështu na kanë quajtur edhe armiqët, ‘Popull me bisht’”, ka thënë Kadaj-Bujupi, transmeton lajmi.net.