Kadaj-Bujupi i drejtohet Mustafës: Tërheqje të marrëveshjeve ose dorëheqje

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa që të tërheq nënshkrimet e arritura në Bruksel, sepse siç tha ajo, vetëm në këtë mënyrë do të kthehet normaliteti në vend.

Lajme

23/10/2015 16:19

“E thërrasim kryeministrin që, ndërmjet interesave të Serbisë dhe kërkesave racionale të qytetarëve tanë, të përcaktohet për këtë të fundit dhe t’i hapë rrugë kthimit të normalitetit në vend dhe kuvend”,  thuhet në njoftimin e saj, raporton lajmi.net.

“Ne kemi forcën e Argumentit, kurse pushteti ka vetëm Argumentin e forcës. Sot barrikaduan Kuvendin për t’i burgosur deputetët dhe mund ta bëjnë, madje mund ta burgosin edhe krejt opozitën. Por, nuk mund të mposhtin forcën e argumentit tone”, thuhet më tej.

Kadaj – Bujupi thekson se janë të vetëdijshëm për barrën e rëndë të përgjegjësisë në ketë proces jo të lehtë. Mirëpo, sipas saj,  përkushtimi për të mos lejuar humbjen e tokës dhe humbjen e resurseve kombëtare i shtynë ata të vazhdojnë, pavarësisht sfidave dhe çmimit në rrugën e tyre, siç e quan ajo,  të drejtë.

“Si deputetë, jemi betuar që do t’i shërbejmë vendit. Sot vendi po rrezikohet nga këto vendime. Prandaj, do të vazhdojmë të rezistojmë deri në tërheqjen e këtyre marrëveshjeve. Tërheqje ose Dorëheqje”, ka përfunduar më tutje Kadaj Bujupi./lajmi.net.