Kabul, gjenerali amerikan vritet nga një afgan i uniformuar

Pentagoni (Ministria amerikane e Mbrojtjes) e ka konfirmuar se një gjeneral i ushtrisë amerikane është  vrarë të martën, kur një person me uniformë të ushtrisë afgane ka shtënë me armë zjarri ndaj trupave të huaja në një bazë ushtarake në Kabul.

Bota

05/08/2014 20:47

Ky gjeneral është zyrtari më i lartë amerikan që është vrarë në luftimet që po zhvillohen në Afganistan tash e 13 vjet.

Si transmeton REL, forca e NATO-s në Afganistan më parë ka njoftuar se një pjesëtar i tyre është vrarë në incidentin që ndodhi sot në kampin afgan, ndërsa 15 ushtarë të tjerë të NATO-s janë plagosur.

Ushtria gjermane ka njoftuar se në mesin e të plagosurve është një gjeneral gjerman, por plagët e tij nuk janë të rrezikshme për jetën.

Zyrtarët në Kabul kanë thënë se në të njëjtin incident janë plagosur edhe tre eprorë afganë.

Presidenti afgan, Hamid Karzai e ka përshkruar sulmin si një “vepër të armiqve që nuk duan të shohin institucione të fuqishme në Afganistan”.