Ka pak gjasa, por Interi nuk dorëzohet për Modriç

Ëndrra e tifozëve zikaltër për të parë Luka Modricin nuk është shuar, por sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë kuptohet që Reali nuk ka ndërmend të lejojë Topin e Artë të Botërorit që të largohet.

Sport

14/08/2018 16:50

32-vjeçari është nisur bashkë me skuadrën drejt kryeqytetit estonez, Talin, për Superkupën e Europës ndaj Atetico Madridit.

Në Spanjë janë të sigurt që presidenti Florentino Perez do t’i ofrojë rinovimin e kontratës me 10 milionë euro në sezon. Shenja më domethënëse ishin duartrokitjet e tifozëve kur Modric u hodh në fushë ndaj Milanit në “Bernabeu”.

Perez e ka shtyrë gjithmonë takimin kokë më kokë me kroatin, duke ngarkuar zëvendësin e tij, Sanchez, për t’ia sqaruar mesfushorit se klubi nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e tij. Nuk është marrë parasysh as oferta e Interit, 15 milionë euro për huazimin për një vit dhe 35 milionë për blerjen përfundimtare.

Modric në asnjë moment nuk ka folur publikisht për këtë çështje. Mundësitë e Interit për ta marrë janë minimale, megjithatë ekziston një shpresë e vogël, që para mbylljes së merkatos në Itali, përfaqësuesit e Interit t’i kenë bindur drejtuesit e Realit.