Ka edhe dashuri mes protestuesve e policisë

Piano në rrugë gjatë protestës në Ukrainë, puthje për policët në Kolumbi, tortë për ditëlindjen e policit nga një protestues në një vend tjetër dhe çaj për protestuesit nga policia në Angli. Edhe këto janë protesta.

Bota

04/02/2014 22:02

Protestat jo gjithmonë janë vetëm bërtimë, dajak e vandalizëm.

Edhe kur ka forca të shtuara të Policisë, protestuesit dhe Policët jo çdo herë janë aq “armiqësorë” me njëri- tjetrin.

Në protestat më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë në Ukrainë, një protestues është përkujdesur për disponimin e policëve. Ai ka luajtur ca pjesë të zgjedhura në piano për ta. E në Kanada disa protestues janë maskuar si kloun, që t’i argëtojnë policët.

Në Bogota, Kolumbi, në protestat e vitit 2011, kur studentët ishin rebeluar duke kërkuar reforma në arsim, një protestuese shihet duke puthur një police.

Diku tjetër, një protestues i sjell policit një tortë për ditëlindje.

Ka edhe raste të tjera, kur protestuesit mbrojnë policinë nga protestuesit më agresivë, apo dhe kur protestuesit u japin ujë, e keks forcave të rendit.

Por dhe policia nuk është treguar aq “dorështrënguar”. Në Londër, në vitin 2011 një police u pa duke u shpërndarë protestuesve “çaj anglez”. Tradita angleze nuk humbet as në raste protestash.

Dashuri, urrejtje, dhunë, argëtim, mirëkuptim, të gjitha mund t’i gjesh teksa njerëzit protestojnë.

Pavarësisht se në cilën anë je, qoftë duke protestuar, qoftë duke mbrojtur rendin dhe ligjin, mbi të gjitha duhet të mbajmë në mendje se të gjithë jemi njerëz të kësaj bote, dhe se dashuria, respekti dhe mbështetja për njëri- tjetrin duhet të jetë e pranishme në çdo situatë.

Fotografitë e mëposhtme nëpër protesta nga mbarë bota shfaqin një anë tjetër të protestës. Atë për të cilën fotografi shpenzon kohë që ta kapë, dhe kur e bën këtë, përsëri e konsideron veten fatlum.

Shikoni fotot