K. Veriore: Retorika e Trumpit është “shpallje e luftës”

Ministri i jashtëm i Koresë Veriore, Ri Yong Ho, tha sot se deklaratat aktuale të presidentit amerikan, Donald Trump, përbëjnë shpallje të luftës dhe se Pheniani ka të drejtë t’i rrëzoj bombarduesit strategjikë amerikanë, bile edhe kur ata janë jashtë hapësirës ajrore të Koresë Veriore.

Bota

25/09/2017 18:30

Mëtutje, ai u ka thënë gazetarëve në Kombet e Bashkuara, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, se për Korenë Veriore “të gjitha opsionet janë në tavolinë” derisa vepron në përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara.

“E gjithë bota duhet qartaz ta mbajë mend se ishin Shtetet e Bashkuara, që të parat i shpallën luftë vendit tonë”, tha zoti Ri.

Bombarduesit e Shteteve të Bashkuara, pardje, të përcjellur nga aeroplanët luftarakë, kanë fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare në lindje të Koresë Veriore. Këto ishin fluturimet që i janë afruar më së shumti zonës së çmilitarizuar, që e ndanë Korenë Veriore nga Koreja Jugore, nga ana e aeroplanëve amerikanë, në shekullin 21.