Juventus-Inter, precedentët, numrat dhe “helmi”

Pasi sistemoi me autoritet praktikën me emrin Napoli dhe kualifikimin në Ligën e Kampioneve, Juventus provon të ulë siparin e një trisi emocionues ndaj një rivali të përjetshëm në futbollin italian si Inter.

Sport

07/12/2017 23:15

“Zonja e Vjetër” kërkon ta mundë, ta kalojë në renditje, duke shpresuar që një tjetër armik historik si Fiorentina të ndalë Napolin në rënie forme.

Por, Inter është kundërshtari më i sikletshëm i momentit, i vetmi që nuk njeh humbje dhe me ekuilibrin perfekt mes teknikës, ofensivës dhe fizikut në Serinë A. Do të jetë një sfidë mes pankinave që në kohët e Kaljarit dhe Milanit ishin në barazpeshë, ndërsa tani Allegri është në avantazh ndaj Spalettit, transmeton Top Channel.

Në fushë, Icardi dhe Higuain janë rivalë jo vetëm për të shënuar, por gjithashtu për një vend në kombëtaren argjentinase. Icardi është rritur në akademinë e Barcelonës, ndërsa Higuain shkoi në moshë shumë të re te Real Madrid.

Të shtunën do të materializohet kapitulli i 233 i një romani që zgjat prej 110 vjetësh dhe ka dhuruar spektakël, por edhe një dozë të madhe “helmi”. “Calciopoli” shërbeu për të intensifikuar rivalitetin, por përplasjet kanë qenë të ashpra edhe në kohën e Herrerës dhe Moratit. Madje, në 1983 është regjistruar dhe një zgjim i vullkanit të vjetër në rivalitetin Juve-Inter, kur barazimi 3-3 në fushë i la vendin suksesit në tavolinë të zikaltërve, pas dhunës së tifozëve.

Vitin e kaluar u regjistrua 2-1 në “San Siro”, në një prej gëzimeve të pakta të De Burit. Në kthim vendosi një gol i Cuadrados, por tani është tjetër histori dhe Inter ka Spalettin në stol.