Juventus e do Mustafin

Juventus dhe Sampdoria janë takuar për të diskutuar rreth mundësisë së transferimit të qendërmbrojtësit shqiptar Shkodran Mustafi, te kampioni i Italisë, gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Sport

24/06/2014 09:42

Objektivi ‘Botëror’ për mbrojtjen e Juventusit është Shkodran Mustafi.

Qendërmbrojtësi 22 vjeç i Sampdorias i cili udhëtoi në Brazil me Kombëtaren e Gjermanisë pas lëndimit të Marco Reus, kërkohet nga kampioni i Italisë, ka njoftuar Gazzetta dello Sport. Dhe, palët tashmë kanë bërë kontaktet e para.

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli bisedoi me homologun e tij nga Sampdoria, Massimo Ferrero gjatë takimit të fundit të Asamblesë së Ligës në Milano.

Dhe, nga diskutimet e para, Sampdoria ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar rreth shitjes së Mustafit, por me kusht që Juventus të ofrojë para dhe ndonjë futbollist.

Sampdoria ëndërron të transferojë njërin mes Mirko Vucinic dhe Fabio Quagliarella, të dy në largim nga Juventus.

Mirëpo, secili prej tyre do të paraqiste problem sa i përket pagës. Kontrata e Mustafit me Sampdorian vlen deri 2016 ndërsa ai vlerësohet në jo më pak se 5 milionë euro.