Jusuf Buxhovi i papranueshëm për veteranët e UÇK-së

Akademiku i përzgjedhur nga Këshilli Organizues i Epopesë së UÇK-së, Jusuf Buxhovi, për t’iu drejtuar të pranishmëve në akademinë solemne, është kundërshtuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Lajme

05/03/2015 14:25

Sipas një njoftimi të lëshuar nga kjo organizatë, thuhet se Buxhovi nuk është personi i duhur që mund të mbajë fjalim në këtë tubim solemn për nderë të Epopesë së UÇK-së, për shkak se, sipas tyre, i njëjti “ka një të kaluar jo të lavdishme”.

Propozimi i OVL-UÇK-së, sipas këtij njoftimi, ka qenë që në këtë akademi solemne të merrë pjesë akademiku Rexhep Qosja apo Agim Vinca.

Ndërkohë, në bazë të këtij njoftimi, OVL-UÇK janë shprehur të indinjuar dhe ofenduar, për mos intonimin e himnit kombëtar, në manifestimin që e hapi Epopenë e UÇK-së, në kazermën “Adem Jashari”.

“Konsiderojmë që kjo shmangie nga skenari, edhe nëse nuk ka qenë e qëllimshme, është skandaloze dhe ofenduese. Dëshmorët kanë luftuar dhe rënë me flamurin dhe Himnin Kombëtar dhe çdo tentim për tjetërsimin e historisë, nuk i shërben ardhmërisë së kombit tonë’.

“Gjithashtu, gjatë kontributin tonë në Këshillin Organizues të Epopesë, ne kemi propozuar që në Akademinë solemne të 6 marsit, të paraqitet një prej akademikëve autoritativ dhe me aktivitet të qartë kombëtar siç janë Rexhep Qosja ose Agim Vinca”.

“Personi që është propozuar të paraqitet, Jusuf Buxhovi, për ne është i papranueshëm, për shkak të kaluarës së tij jo të lavdishme. Kërkojmë që edhe ky gabim të përmirësohet.”

“Për hir të mbarëvajtjes së aktiviteteve të mëtutjeshme të Epopesë, kërkojmë nga të gjithë përgjegjësit, që të jenë të kujdesshëm e të mos përsërisin gabime të tilla. Përndryshe, do të detyrohemi të tërhiqemi nga pjesëmarrja në aktivitetet e Epopesë”, thekson OVL e UÇK-së.