Julia Skripal doli nga spitali

Vajza e helmuar e një ish-agjenti rus ka dalë nga spitali, pas përmirësimit të gjendjes së saj. Atë së shpejti mund ta shoqërojë i ati Sergei, gjendja e të cilit thuhet se "po përmirësohet me shpejtësi".

Bota

10/04/2018 16:52

Julia Skripal u largua nga spitali, bëri të ditur një zëdhënës i spitalit të qytetit të vogël të Anglisë jugore Salisbury. Por mjekimi i saj nuk ka përfunduar, shtoi ai. Edhe i ati bën përparime të mira. Më parë, stacioni britanik BBC dhe Sky News patën informuar se rusen e re e kanë nxjerrë nga spitali dhe se tani ajo ndodhet në një vend të sigurtë. Ajo dhe i ati u gjendën në 4 mars pa ndjenja në stolin e një parku në Salisbury. Sipas të dhënave të ekspertëve britanikë atë e helmuan me lëndën helmuese luftarake Noviçok. Këtë helm nervor e shpiku dhe e prodhoi dikur Bashkimi Sovjetik.

Deklarata për publikun

Të enjten e kaluar, 33 vjeçarja u shpreh për herë të parë që prej atentatit në një deklaratë publikisht dhe foli për përparime në përmirësimin e shëndetit të saj. Megjithatë, toksikologët nuk e përjashtojnë shfaqjen me vonesë të dëmeve të organeve.

Qeveria e Londrës akuzon Presidentin rus Vladimir Putin si porosidhënës të atentatit. Kremlini e hedh këtë poshtë me vendosmëri. Ky rast shkaktoi një krizë të madhe diplomatike midis Rusisë dhe Perëndimit.

66 vjeçari Skripal pati punuar më parë për Shërbimin e fshehtë Ushtarak rus GRU dhe prej atje i pati përcjellë të dhëna shërbimit të fshehtë britanik MI6. Në vitin 2004 atë e zbuluan dhe e dënuan me 13 vjet arrest në kamp. Në kuadër të shkëmbimit të të burgosurve, në vitin 2010 ai shkoi në Britaninë e Madhe, ku jetonte prej atëherë në Salisbury./DW