Judah: Rusia mbështet ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi

Tim Judah tha sot se Rusia do të përfitonte shumë nëse rezultati i negociatave Beograd-Prishtinë.

Lajme

13/11/2018 13:52

Gazetari dhe analisti i Britanisë, Tim Judah tha sot se Rusia do të përfitonte shumë nëse rezultati i negociatave Beograd-Prishtinë do të ishte njohja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.

“Rusia mund të përdorë precedentin në një përpjekje për të siguruar marrëveshje të ngjashme për territoret separatiste që janë nën kontrollin e saj në Moldavi (Transnistria) dhe Gjeorgji (Osetia Jugore dhe Abkhazia)”, ka thënë Judah për “BETA”, transmeton zeri.info.

Duke komentuar takimin e Presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kremtimit të 100 vjetorit të armëpushimit të Luftës së Parë Botërore, të dielën në Paris, Judah rikujton se “në vitin 2014, kur Rusia mori Krimenë, Putin përmendi Kosovën si një precedent”.

”Pra, është logjike që në të ardhmen Kosova të përdoret për përfitim rus”, shtoi ai.

Juda vlerësoi se takimi Thaçi-Putin në Paris ishte një shenjë se Rusia do të mbështeste idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Putin tha se ai do të mbështesë çdo gjë që Serbia dhe Kosova bien dakord … po të ishte kundër, ai do të thoshte në mënyrë të qartë, si (kancelarja gjermane Angela Merkel), por ai tha se do të mbështesë çfarëdo që Beogradi dhe Prishtina bien dakord, dhe kjo është thelbi i asaj që po diskutohet tani”, tha Judah.

Sipas analistit britanik, mesazhi i dërguar nga takimi Putin-Thaçi për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është, “Vazhdo”.

Për Putinin, shtoi ai, ka kuptim të përsosur për të mbështetur ndryshimin e kufijve në rastin e Kosovës, veçanërisht pasi Rusia ka njohur Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë dhe tani ka probleme me Ukrainën.

“Në qoftë se në një farë mënyre dhe të tjerët mund të pranojnë ndryshimin e kufijve, do të ishte një arsyetim për Putinin dhe një mënyrë për Rusinë për të legalizuar aneksimin e territoreve të shteteve fqinje”, tha Judah, edhe pse, shtoi ai, nuk beson se gjërat do të përfundojnë ashtu sipas Putinit.

Ai shtoi se nuk duhet të harrohet se Putini është i shqetësuar për interesat e tij, jo për interesat e Serbisë.