Jo vizita elektorale, veç fetare

Liderët serbë nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë për qëllime elektorale. Ata mund të vijnë, por vetëm për vizita fetare, nëpër manastire. Hashim Thaçi flet pas kthimit nga Brukseli.

Lajme

08/10/2013 16:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nëse do të vijë ndonjë kërkesë nga autoritetet serbe për ta vizituar Kosovën, Qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë atë me seriozitet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojë vizitat me karakter elektoral.

Pas kthimi nga Brukseli, Kryeministri Thaçi është shprehur se janë të orientuar që të respektojnë lirinë e lëvizjes dhe të respektojnë standardet evropiane, por assesi në formë elektorale.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se liria e lëvizjes është e garantuar dhe ata do t’i respektojnë standardet europiane, por sa i përket vizitave dhe lirisë së lëvizjes gjithçka është e përcaktuar sipas procedurave, rregulloreve, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës është autonome në vendimmarrje dhe ajo do të vendosë nëse dikush e viziton Kosovën, e jo ndonjë institucion ndërkombëtar.

“Qëllimi ynë nuk është që të kemi moskomunikim, qëllimi ynë ka qenë komunikimi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, pra i raporteve europiane”, ka thënë Thaçi.

“Ndërsa, në rast të një kërkese për ta vizituar Republikën e Kosovës, ajo kërkesë do të shqyrtohet me seriozitetin me të madh nga institucionet e Kosovës, por në asnjë rrethanë me karakter elektoral. Nëse dëshirojnë që të vizitojnë ndonjë manastir, atëherë natyrisht se ne do t’i lejojmë”.

Po ashtu, Kryeministri Thaçi, është shprehur se gjatë takimit të mbrëmshëm me Kryeministrin serb, Ivica Daçic kanë diskutuar domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura, që dalin nga marrëveshja e 19 prillit, dhe që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, policisë, etj.

“Temë e diskutimit ka qenë edhe çështja e listës zgjedhore. Kemi marrë informacion të plotë nga përfaqësuesi i OSBE’së në takimin e Brukselit, që institucionet e vendit e përkrahin dhe i besojnë për transparencën që po ndodh”.

“Edhe vërejtjet e palës serbe i kemi dëgjuar, por ne duhet të besojmë në transparencën dhe punën e përgjegjshme të cilën e bëjnë KQZ dhe OSBE”.

“Kemi diskutuar edhe për çështje tjera që ndërlidhen drejtpërdrejt edhe me domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, veçanërisht në veri që të kalojmë testin europian të organizimit të zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, shumëpërfshirëse, ku do të marrin pjesë të gjitha komunitetet”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Thaçi shpreson që më 3 nëntor do të marrin pjesë edhe serbët e katër komunave në veri dhe t’i zgjedhin liderët e tyre legjitimë në nivel lokal, në mënyrë që të shikojnë për investime me të fuqishme, rritje të vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale të qytetare dhe të lejojnë ligjshmërinë në përputhshmëri me kushtetutën e vendit.