Jo të gjithë qytetarët janë të kënaqur me sistemin e ri të ngrohjes

Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës ‘Termoskos’, nuk po ofron kapacitet të mjaftueshëm të ngrohjes për gjithë kryeqytetasit. Banorët e lagjes Ulpiana thonë se po kanë ngrohje më shumë se sa duhet, ndërsa ata të Bregut të Diellit ankohen për mungesë të saj.

Lajme

11/12/2014 11:08

Qytetarët e komunës së Prishtinës të cilët jetojnë në lagjet që janë afër ‘Termoksit’, shprehen të kënaqur me shërbimet që po u ofron ngrohtorja e qytetit, prej kur ka filluar sistemi i ngrohjes me avull.

Por, qytetarët të cilët jetojnë në lagjen më lartësi më të lartë ankohen për kapacitetin e ngrohjes.

Disa prej tyre të pyetur nga KosovaPress, shprehen të pakënaqur edhe me çmimin e lartë që po e paguajnë.

Mensur Ilazi, banor i Dardanisë, thotë se sivjet ngrohje po ka shumë, ndoshta edhe më tepër se që duhet.

“Për nxehje, besoni edhe ne edhe fëmija nuk mundemi me fjet ashtu siç kemi fjet përpara, duhet me hapë dritaren sepse është me të vërtet nxehtë”, ka thënë ai.

Por, qytetarët që banojnë në lagjen që janë më larg ‘Termoksotit’, në Bregun e Diellit, ankohen se nuk kanë ngrohje të mjaftueshme.

Fatbardha Miftari, që jeton në lagjen e Bregut të Diellit, ka thënë se nuk po mjafton kjo ngrohtësi dhe se nuk ka ngrohje ashtu siç kanë premtuar.

“Nxehje ka por nuk ka me atë kapacitetin e madh ashtu siç kanë premtuar, domethënë ka nxemje, nuk është që nuk ka, por ato radiatorët vetëm të vakët janë”.

Edhe Hanumshahe Shala, po ashtu nga lagjja e Bregut të Diellit, thotë se ngrohje nuk ka pothuajse fare.

“Kaminën e kem ndez me dru, me qymyr, për mu nxeh. Unë kam qenë te vajza e kunatit në lagje të spitalit e u dashke me i hap dritaret ndërsa tek ne jo,” tha Shala.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ende nuk është lëshuar i tërë kapaciteti i ngrohjes, prandaj sipas tij, disa lagje që janë në lagjet me nivel më të lartë detar, tani kanë më pak ngrohje, ndërsa ato që janë më poshtë kanë më shumë.