JO RACIZMIT TË FIFA-s – Lajmi.net
JO RACIZMIT TË FIFA-s
Autori: Lulëzim ETEMAJ LajmeOp-EdOpinion 18:38, 26 June 2018
Lulëzim Etemaj
Si pasojë e reagimit serb, festimi i futbollistëve shqiptarë nga Kosova Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri me shqiponjë pas golave të shënuara në ndeshjen Zvicër- Serbi, u shndërrua shumë shpejt në temën më të popullarizuar mediale në përmasa ndërkombëtare. Kështu, nga një ngjarje sportive e Botërorit të Futbollit “Rusia 2018”, dhe një gjesti shprehës së ndjenjës dhe emocionit të përjetuar për golat e shënuar, kjo lojë futbolli dhe shqiponja e Shaqirit dhe Xhakës u shndërruan, falë politikës, në një ngjarje dramatike politike.

Në të gjithë këtë spektakël politik u përfshi edhe FIFA. Dhe, për ta çuar tutje zhvillimin e kësaj drame të pa parashikueshme, Komitetit Disiplinor i FIFA-s dje ua ka shqiptuar masat e dënimit Xhakës dhe Shaqirit, në vlerë prej 10.000 frangash gjithsecilit prej tyre. Komisioni në fjalë masë dënimi prej 5000 frangash i ka shqiptuar edhe kapitenit të Kombëtarës së Zvicrës, Stephan Lichtsteiner, për shkak të pjesëmarrjës në festimin e Xhakës dhe Shaqirit me shqiponjë.

Komiteti Diciplinor i FIFA-s, dënimin ndaj këtyre futbollistëve e ka mbështetur në Nenin 57, Kapitulli 3, të Kodit Diciplinor, në bazë të të cilit dënohet “Kushdo që ofendon dikënd në ndonjë mënyrë, në veçanti duke përdorur gjeste ose gjuhë ofenduese…”.

Pra, përmes këtij akti juridik, FIFA si gjest ofendues e sanksionon festën e Xhakës, Shaqirit dhe Lichsteinerit me simbolin e shqiponjës, simbolin kombëtar të shqiptarëve. Vendimi është i pa drejtë. Dhe, është i turpshëm. Në përmbajtje është edhe racist. Sepse e shpallë të ligjshëm racizmin serb. Dihet botërisht se flamuri shqiptar asnjëherë në historinë e tij nuk u ka prirë shqiptarëve në luftëra pushtuese dhe në akte të krimit dhe gjenocidit ndaj popujve të tjerë, në këtë rast as të popullit serb, në mënyrë që të konsiderohet valimi i tij apo bëra e simbolit të shqiponjës si akt që ofendon ndjenjat qytetare a kombëtare të ndonjë etniteti, në këtë rast të atij serb.

Komiteti Diciplinor i FIFA-s, përmes dënimeve të shqiptuara mbrëmë ndaj futbollistëve Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner, ka krijuar një precendet tepër të rrezikshëm dhe vështirë të zbatueshëm, i cili, së fundi, po u zbatua edhe në raste të tjera si në këtë rast, do ta dëmtojë natyrën sportive të futbollit, spontantivitetin, natyralitetin, të drejtën dhe lirinë e manifestimit publik të emocioneve të gëzimit që sjellë çasti i të shënuarit gol apo dhe fitorës tek futbollistët.

Pra, në këtë rast nuk është në pyetje masa, shuma e dënimit në para, por pasoja juridike dhe politike e sanksionimit të shqiponjës. Shqiptarët, kahdo që janë, nuk duhet bërë gabimin dhe përkthyer këtë sanksion thjeshtë në para për të nisur fushatat për përkrahje materiale ndaj Xhakës, Shaqirit dhe Lichsteiner, në mënyrë që t’u paguhet dënimi. Grumbullimi i parave, përkundër faktit se shpreh respektin, bujarinë dhe solidaritetin që po tregojnë shqiptarët ndaj këtyre djelmoshave dhe aktit që i bëri të ndjehen shumë krenar, në këtë rast nuk është një veprim i qëlluar dhe nuk duhet të merret përsipër as si vullnet dhe as si detyrë nga ministrat apo zyrtarë vtë tjerë të shtetit të Kosovë apo dhe atij të Shqipërisë. Fundi, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Stephan Lichtsteiner nuk janë aq të varfër sa të mos mund t’i paguajnë vetë nga 10.000, përkatësisht 5000 franga gjobë. Dhe, atë çfarë e bën ata, duke bërë të pulsojë fuqishëm krenaria shqiptare në mbarë globin, as nuk e kanë bërë për para dhe as nuk ka para që e shpaguan.

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Stephan Lichsteiner kanë nevojë për mbështetje civile qytetare si dhe për mbështetje juridike dhe politike në radhë të parë të Prishtinës dhe Tiranës, duke qenë se rasti tashmë pas verdiktit të FIFA-s është rast fundekrye politik. Mbështetje të cilën e kanë dhënë në mënyrë shembullore që prej fillimit mediat, qytetarët, ministrat, personalitete të larta politike si dhe institucione të shumta, sportive dhe josportive, si dhe grupe të ndryshme interesi në Zvicër. Mbështetje që ka munguar nga shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbështetja ndaj Xhakës e Shaqirit është mbështetje ndaj një akti shumë njerëzor dhe manifestimi të qytetëruar të kombtarizmës shqiptare, hyrjen e të cilit në analet historike botërore e zbehë dhe degradon në masë të madhe akti i djeshëm juridik sanksionues i Komitetit Diciplinor të FIFA-s.

Prandaj, sërish shtrohet pyetje: Përse dhurim dhe grumbullim parash për të shlyer gjobën dhe jo angazhim gjithshqiptar për të shlyer dënimin e paligjshëm, duke e bërë FIFA-n ta rishikojë dhe shfuqizojë vendimin e saj. Shlyerja e gjobës e legjitimon dënimin!

Ç’është kjo heshtje e politikës dhe qytetarisë së Prishtinës dhe Tiranës? Nëse edhe ky dënim racist i FIFA-s nuk paraqet motiv të mjaftueshëm për të ngritur zërin dhe reaguar me mjete juridike, politike dhe të manifestimit qytetar, përmes peticioneve dhe protestave, atëherë edhe çka duhet të na ndodhë ne dhe simboleve tona kombëtare në mënyrë që të trandemi nga amullia. Apo, patriotizmin e kemi vërtet vetëm si ndjenjë të përkohshme, madje edhe për konsum euforik ditor, dhe jo si ndjenjë fisnike, pjesë të pashkëputshme të qenies dhe indentitetit tonë kombëtar.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO