Jo çfarë ka qenë, por çfarë Kosove duam

Kur dëgjoj paraqitjet publike e lexoj postimet e LDK-së e VV-së përballë kritikëve të tyre, duke pasur të vetmin argument linçimin përçmues dhe ofendimin personal, më humbë shpresa se ndonjëherë në Kosovë do të mund të kemi debat konstruktiv.

Lajme

26/05/2017 22:29

Në secilin rast, këto etiketime janë të përligjura, dhe përdoren si strategji për t’u larguar nga debati racional e përmbajtjesor.

Këta persona nuk njohin kufi as kategori, ata përdorin linçimin në mënyrë gjithëpërfshirës, gjë që ua humbë peshën edhe atyre argumenteve që janë valide. Ky diskurs përfshinë të gjithë kundërshtarët politik pa dallim, me logjikën fëmijërore ose engjuj ose djaj.

LDK-ja, duke qenë se ishte në formula të shumta bashkëqeverisjeje me PDK-në që nga paslufta, NUK ka as edhe një të vetmin argument valid që të ndërtojë gjuhë opozitare kundër dikujt që ka vendosë të hyjë në një marrëdhënie parazgjedhore për herë të parë, dhe atë për të udhëheqë me qeverinë e vendit. Shterpësia juaj politike, në bashkëqeverisje me PDK, flet me zë të lartë në Kosovë, në rend e ligj, në gjykata, në shëndetësi, në arsim, në gjendjen ekonomike, klimën biznesore, në pozitën e Kosovës ndërkombëtarisht, dhe lista nuk ka fund.

Edhe pas qeverisjes suaj për një dekadë, qytetari kosovar nuk ka arsim cilësor, dhe hapësirë punësimi për rininë kosovare. Qytetari kosovarë nuk ka barna esenciale, e as shëndetësi të dinjitetshme. Punëtorët profesional nuk kanë kushte pune, dhe janë të detyruar të punojnë jashtë profesionit të tyre. Në gjykata janë grumbulluar lëndët, investitorët e huaj nuk e shohin Kosovën si pikë strategjike. Çmimet janë të larta, rrogat e vogla, papunësia e madhe. Reformat kushtetuese dhe zgjedhore as nuk kanë filluar. Mitrovicën nuk e kontrollojmë, madje as nuk keni pasë vizion se si ta mbyllni këtë temë. Serbia ushtron dhunë psikike ndaj qytetarëve të Kosovës çdo ditë, dhe ju mbajtët duart në xhepa. Dhe lista nuk përfundon këtu.

Së këndejmi, VV-ja, duke qenë se ishte pjesë e VLANit që kishte kandidat të konfirmuar në letër z.Haradinaj, nuk mund të ndërtojë sot retorikë linçuese vetëm pse AAK nuk është sot në pakt politik me ta.

Deri dje, Haradinaj ishte i besueshëm dhe kandidat i denjë për KM, ndërsa sot brenda natës u bë i papranueshëm dhe i papërgatitur! Logjika juaj qeverisëse flet zëshëm në komunën e Prishtinës, në urbanizëm, në trafik, në zhvillim ekonomik lokal, në arsim, kulturë e investime. Për 4 vite praktikë qeverisjeje në Prishtinë (që pothuajse ka peshë sa gjysma e qeverisë), nuk patëm përmirësime konkrete të jetës sonë lokale. Unë si qytetare e Prishtinës ende nuk mund të hyj me veturë në lagjen time në qendër të qytetit për shkak të veturave të parkuara në mes të rrugës; madje nuk mund të kaloj as me karrocë për shkak se trotuare nuk ka ose janë të bllokuar me terasat e bizneseve të cilëve u keni lëshuar leje, duke dëmtuar faktorin njeri.

Më duhet të gjej të njohshëm me pishë e me qiri që t’i regjistroj fëmijët e mijë në çerdhe në Prishtinë. Ka 1 muaj që presim ta përfundojmë një regjistrim kadastral. Ka 6 muaj që presim përgjigje lidhur me një kërkesë për leje; administrata nuk kthejnë emaila as nuk përgjigjen në telefon. Çka të presim nëse VV udhëheqë qeverinë qendrore?! Retorikë linçuese dhe asgjë tjetër.

Mos të harrojmë kryesorin fakt, se PDKja është më meritorja për gjendjen tonë të mjerë, e për shtetin që nuk e bëmë kurrë.

Andaj, Etiketimet tuaja ndaj Ramushit personalisht, e jo ndaj PDKsë dhe vetvetes, nënkuptojnë që të gjitha këto kritika janë reagime të njerëzve pa inteligjencën e mjaftueshme për të kuptuar kompleksitetin e punëve qeveritare. Gjendja në Kosovë tregon mirë e qartë për efikasitetin e kalbur keqqeverisjes të deritanishëm.

Dy gjëra janë të qarta:

– E para, Ramush Haradinaj nuk është përgjegjës për dështimet e Qeverive të kaluara, dhe nuk mund të mbahet përgjegjës dhe të tentohet njollosja e tij. Mbi të gjitha, mos harroni se ai qëndroi rreth 10 vite në opozitë, dhe jo vetëm. Për këto 10 vite, kryesisht duke mbrojtur Kosovën përballë armikut tonë të përbetuar Serbisë nëpër gjykata ndërkombëtare dhe burgje, larg familjes e fëmijëve. Si mund të gjykohet Ramushi e AAK në këto rrethana?!!!!

— E dyta, me marrjen e përgjegjësive për udhëheqjen e qeverisë, për Ramushin dhe Kosovën fillon një momentum krejtësisht i ri, një logjikë komplet e re qeverisëse, dhe një dinamikë ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim. Ju që e njihni mirë Ramushin, e dini se për çfarë po flas. Qeverisja e tij, nëse konfirmohet pas 11 qershorit, e merr Kosovën prej duarve tuaja – në gjendjen të cilën ju e keni sjellur. Puna dhe gjykimi ndaj Ramushit fillon në ditën e parë të tij të punës. Jo dje, jo sot, po nesër.

Jo çfarë ka qenë, por çfarë Kosove duam.