Jevtiq takohet me Hoyt Brian Yee: Kaluan 1650 ditë dhe nuk po zbatohet marrëveshja për AKS-në

..

Lajme

25/10/2017 23:10

Përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë, janë takuar sot me zëvendës-ndihmës sekretarin e SHBA-ve, Hoyt Brian Yee.

Gjatë këtij takimi, serbët kanë shprehur shqetësimin se edhe pas 1650 ditëve të nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel për formimin e komunave me shumicë serbe nuk janë marrë hapat e parë konkret në zbatimin e saj.

Zëvendëskryeministri, Dalibor Jevtiq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq kanë theksuar problemet që serbët përballen çdo ditë në Kosovë dhe ndikojnë në mbijetesën dhe zhvendosjen e tyre, raporton ‘Novosti’, transmeton lajmi.net.

“Formimi i komunave me shumicë serbe është një nevojë jetike dhe mund të zgjidhë shumë probleme në funksionimin e përditshëm dhe jetën e qytetarëve serbë, kjo nuk duhet të trajtohet si çështje politike por jetësore”, ka thënë Jevtiq.

Jevtiq vuri në dukje arrestimet e fundit të serbëve të zhvendosur duke thënë se ka dërguar një mesazh shumë negativ për të gjithë ata që duan të kthehen në Kosovë duke shtuar se po uzurpohen pronat e tyre.

Yee ka thënë se pret që zbatimi i marrëveshjes për AKS-në të hap mundësinë për fuqizimin e dialogut të vazhdueshëm. Zyrtari amerikan po ashtu theksoi nevojën për të përfshirë të gjithë faktorët politikë në zgjidhjen e problemeve të përgjithshme. /Lajmi.net/