Jeton Svirca, ministër i Mjedisit

Partia e Drejtësisë (PD) do të udhëheqë përsëri me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe pas dorëheqjes së ish-ministrit, Ferid Agani, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për “Keqpërdorim” sa ishte ministër i Shëndetësisë në mandatin e kaluar të Qeverisë.

Lajme

22/06/2016 08:08

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në vend të Ferid Aganit, ministër i ri i Mjedisit pritet të emërohet nënkryetari i Partisë së Drejtësisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Jeton Svirca.

“Udhëheqja e Partisë së Drejtësisë tashmë ka caktuar nënkryetarin dhe ish-deputetin Jeton Svirca si kandidat për ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vend të Ferid Aganit, i cili dha dorëheqje për shkak të një aktakuze të ngritur ndaj tij”, ka thënë ky burim.

Mirëpo, për t’u realizuar kjo Partia e Drejtësisë po pret të konsultohet edhe me partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht kreun e saj, Kadri Veselin.

Deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murtezi, ka thënë për gazetën “Zëri” se kjo Ministri u takon atyre, meqë për këtë dikaster qeveritar kanë qëndruar në koalicionin qeverisës.