Jetë e vështirë

Mitrovica është një qytet kosovar i ndarë në dy pjesë: Serbët që jetojnë në Veri dhe shqiptarët në Jug. Kjo është pika e nxehtë për ngurrimin e serbëve që të jetojnë në një shtet kosovar. Reportazh nga DW.

Lajme

22/11/2013 21:10

Në kohën e Jugosllavisë socialiste, Mitrovica ishte një qytet mjaft i begatshëm. Në periferi të qytetit, minierat gjigante të Trepçës ishin një nga komplekset më të mëdha industriale në vend, ndërsa vetë Mitrovica ishte një shtëpi për shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq e pakica tjera.

Sot, emri Mitrovicë është sinonim i ndarjes. Lumi Ibër është bërë një kufi de facto që nga përfundimi i luftës në Kosovë  më 1999, duke ndarë një popullsi kryesisht me shqiptarë në Jug dhe me shumicë serbe në Veri të Mitrovicës.

Të dielën (17 nëntor 2013), votuesit në Veri të Mitrovicës shkuan në votime në zgjedhjet e përsëritura pas dhunës dhe frikësimit që prishën votimin në qytet, një muaj më parë. Zgjedhjet janë parë si vendimtare për Marrëveshjen e Brukselit – e cila është nënshkruar mes Serbisë dhe Kosovës në prill – por më shumë se rreth 20,000 serbë në Veri janë të kujdesshëm për çdo ndryshim eventual të status-quo’së.

“Një shumicë e madhe e njerëzve janë kundër çdo lloj lidhjeje të ngushtë me Prishtinën”, thotë Oliver Ivanovic, i cili po kandidonte për Kryetar të Mitrovicës së Veriut dhe fitoi vota të mjaftueshme për të garuar në balotazh më 1 dhjetor.

“Prishtina është atje, ne nuk mund të nënvlerësojmë këtë fakt. Ne jemi pjesë e Kosovës, për sa kohë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Rezistenca Serbe

Ashtu si vetë Serbia, pjesa më e madhe e 40,000 serbëve gjithandej në katër komunat e Veriut të Kosovës refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 2008.

“Asnjë serb nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, thotë Ivanovic.

“Ne duhet të jetojmë me këtë fakt jo të këndshëm. Sepse, s’ka alternativë tjetër, serbët nuk do ta lënë këtë”.

Gjatë 14 vjetëve të fundit, Veriu i Kosovës është zhvilluar në mënyrë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Këtu valojnë flamuj serbë dhe shenja të alfabetit cirilik dhe gjuhës angleze që proklamojnë “Kjo është Serbia”. Një sistem i strukturave paralele, i financuar nga Beogradi, ofron gjithçka nga shkolla dhe shëndeti deri tek sistemi i gjykatave.

Por, gati një dekadë e gjysmë e izolimit ka marrë një taksë gjithashtu. Makina, shumica pa targa, rrëmujë deri në rrugët e kalimtarëve. Me mungesë të sundimit të ligjit, fitimiprurja e paligjshme e tregtisë ka lulëzuar në çdo gjë, nga karburanti deri te armët e zjarrit.

“Vendosja e rendit dhe ligjit në rrugë nënkupton fiksim në rrugë dhe vendparkime”, thotë Ivanovic.

“Lufta jonë për përmirësimin e rendit dhe ligjit fillon me parkimin. Duhet t’ua bëjmë të qartë njerëzve se gjërat po ndryshojnë. Kjo Mitrovicë po ndryshon”.

Njerëz të ndryshëm me kultura të ndryshme

Ndarja e qytetit ka ardhur me një çmim të madh social, thotë Sinisha, një mësues serb i shkollës fillore i cili nuk dëshiron që t’i publikohet mbiemri.

“Para luftës qyteti u organizua në mënyrë të duhur. Të gjitha objektet janë ndarë rreth qytetit, por duke e ndarë qytetin, tani kemi vetëm spitalin e përgjithshëm. Gjithë objektet tjera; dy stadiume, salla sportive, qendër shëndetësie, stacion hekurudhor, çdo gjë është në Jug”.

Por, Sinisha nuk ka dëshirë që gjërat të kthehen siç ishin para konfliktit: “Nuk dua të integrohem. Jam i kënaqur me jetën këtu. Po, fqinjët e mi mund të vijnë, ne mund të bashkëpunojmë dhe të punojmë së bashku, por gjatë natës ata të shkojnë dhe të flenë në pjesën e tyre të qytetit. Ata janë njerëz më ndryshe, me një kulturë më ndryshe”.

Tregtia ofron mundësinë më të mirë për të sjellë shqiptarët dhe serbët së bashku, thotë Niall Ardill, një ish-pedagog i biznesit në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, i cili ka përfunduar një studim tërësisht mbi sektorin privat në Veri të Kosovës.

“Komuniteti i biznesit është më i avancuar se komuniteti politik”, thotë ai, duke qëndruar pranë urës kryesore që lidh Veriun dhe Jugun e Mitrovicës. Një grumbull i madh gurësh dhe tokë kanë bllokuar urën që nga viti 2011, kur Policia e Kosovës u përpoq të marrë kontrollin e kufirit kalimtar.

Pa para

Rreth 30 për qind e kompanive në Veri tregtojnë me pjesën tjetër të Kosovës. Por, dyfishi i kësaj shifre do të dëshironte një gjë të tillë.

“Ne kemi parë se kompanitë që tregtojnë me pjesën jugore vërtet përfitojnë”, thotë Ardill.

Pengesa kryesore nuk është politika, është kapaciteti: “Një shumicë e proceseve dhe procedurave që ata përdorin mund të jenë vjetruar, është diçka që duhet të shikohet nga një pikëpamje e investitorëve dhe nga pikëvështrimi i donatorëve ndërkombëtarë”.

Në Veriun e përzier të Mitrovicës, në Lagjen e Boshnjakëve, pronari i një dyqani, Artan Maxhuni, turk, ankohet se problem më i madh për biznesin e tij të veshjeve është ekonomia e gjerë.

“Gjendja ekonomike në Kosovë është e keqe, me të vërtetë e keqe”, thotë ai. “Kudo në Kosovë është e keqe, jo vetëm në Mitrovicë, por Mitrovica është veçanërisht e keqe”.

“Unë kam konsumatorë serbë, s’ka problem, por njerëzit nuk kanë para”.

Vetëm pak pasi të kalohet Policia italiane, e cila mban roje të vazhdueshme mbi urën e lumit Ibër, në pjesën e Mitrovicës jugore të dominuar nga shqiptarët, Afërdita Syla, drejtoreshë ekzekutive e Zhvillimit të Komuniteteve në Mitrovicë (CBM), është duke u munduar të rrisë lidhjet ndërmjet komuniteteve në qytetin e ndarë.

“Në korrik kemi sjellë 40 fëmijë në një aktivitet – 20 nga Veriu, 20 nga Jugu”, kujton Syla.

Reagimi i parë, kur ata e takuan njëri-tjetrin ishte “Wow, ata janë normalë”. Sepse për një kohë të gjatë ata nuk kishin kontaktuar njëri me tjetrin, dhe mendonin për tjerët se s’ishin njerëz.

Por, në një qytet të ndarë, krijimi i lidhjeve është më i lehtë se mbajtja e tyre.

“Ata s’e kanë këtë kontakt ditor. Kjo është ajo ku kemi mangësi. Ne kemi për ta kaluar këtë urë përsëri”.

(DW)