Jeta e të shurdhërve në Kosovë me shumë sfida

Në programin “Mirëmëngjesi Kosovë“ në RTK 1 është diskutuar për Javën Ndërkombëtare të Personave të Shurdhër, e cila është mbajtur nga 18 deri më 25 shtator.

Lajme

26/09/2017 08:39

Mysafir të këtij emisioni ishin përfaqësuesi i Shoqatës së të Shurdhërve të Kosovës, Nebi Cakaj dhe Zana Preniqi, intepretuese e gjuhës së shenjave. Cakaj fillimisht ka bërë të ditur se Java Ndërkombëtare e të Shurdhërve ka nisur në Itali në vitin 1953, ku janë mbledhur personat e shurdhër dhe kanë filluar të mbajnë aktivitete të ndryshme. Më pas kjo javë është bërë tradicionale dhe vazhdimisht kjo javë shfrytëzohet për sensibilizimin e të drejtave të të shurdhërve.

“Fatkeqësisht gjendja e të shurdhërve në Kosovë nuk është e mirë. Kemi disa sfida, kemi disa probleme. Fillimisht kemi edukimin e dobët, pastaj shërbimi i interpretëve të gjuhës së shkronjave që ka ende disa mangësi. Si problem kyç është edhe largimi i personave të shurdhër nga skema pensionale, pastaj punësimi etj”, ka theksuar Cakaj.

Që nga viti i kaluar ka filluar aplikimi i gjuhës së shenjave në institucione, por Cakaj ka thënë se ende hasin në pengesa.

“Të gjithë kemi qenë të kënaqur që në institucione ka filluar përdorimi i gjuhës së shkronjave, por ka disa pengesa dhe sfida, pasi jo të gjitha institucionet janë të përfshira. Për shembull noteri, pastaj në bankë nuk kemi të drejtë të shkojmë me interpret, e të mos flasim për faktin që nuk kemi të drejtë të shkojmë në një kompani private që të aplikojmë për punë ose për një intervistë pune. Pra shumica e aktiviteteve të jetës janë të orientuara nëpër kompani private dhe kësisoj ne jemi të dëmtuar në këtë aspekt. Kur ne e kemi intepretin me vete është shumë më e lehtë komunikimi, pavarësisht nëse shkon të mjeku ose ndonjë problem tjetër”, ka shtuar Cakaj.

Ai tutje ka bërë të ditur se është obligim i Shoqatës së të Shurdhërve që të gjejë interpretin e gjuhës së shkronjave për punë në institucione, kurse qeveria është ajo që i paguan.

Sa i përket punësimit Cakaj ka thënë se që nga paslufta ka disa persona që janë punësuar në kompani private, por numri është i vogël, derisa në institucione shtetërore fatkeqësisht është vetëm një person.