Jeta e çuditshme e Valérie Trierweiler

François Hollande dhe Valérie Trierweiler përfundimisht janë ndarë. Ëndrrën elizeane të farkuar bashkë, tani François duhet ta vazhdojë i vetëm. Valérie nuk mundi t’i pajtojë të gjitha rolet. Le Monde i bën një profil ish gruas së Presidentit të Francës.

Bota

25/01/2014 22:35

Carla Bruni-Sarkozy e kishte paralajmëruar për mënyrën ngufatëse të jetës elizeane. “Nuk mund të bëj jetë me këtu”, kishte thënë ajo gjatë kalimit të pushtetit te ajo e cila e trashëgonte në rolin e dykuptimshëm të “Zonjës së Parë”. Gruaja e ish Presidentit kishte evokuar peshën e ngarkesës, presionin e medias por edhe thashethemet. Valérie Trierweiler i dinte të gjitha këto si vëzhguese e mprehtë e botës politike gjatë shumë viteve.

E lindur më 16 shkurt 1965 në Angers, ajo ka filluar karrierën në revistën “Profession Politique” para se të angazhohet në “Paris Match”. Ajo që nga mesi i dekadës së kaluar e ka ndarë me François Hollande ëndrrën për t’u bërë President i Republikës.

Ajo e kishte shoqëruar atë në fushatën e cila e nxori fitues pa menduar në të vërtetë se çka do të ndodhë më pas. Por, shumë shpejt euforia e fitores i kishte lënë fushë të lirë dyshimeve dhe pikëpyetjeve. Ajo e kishte kuptuar se sa do të jetë e vështirë për ta gjetur vendin. Miqve të saj të vjetër ajo u shpjegonte se kishte dashur që me kohë të zbutej me atë që e quante “jetë e çuditshme”.

Por, i qe dashur të improvizonte shumë shpejt. E pamartuar, pa status zyrtar, shoqja e François Hollande është shfaqur menjëherë hezituese, e shqyer mes dëshirës për ta vazhduar jetën normale të një gazetareje, e divorcuar, nënë e tre fëmijëve, apo asaj të pjesëmarrjes në jetën publike që e kishte kapluar të shoqin.

E pyetur pak ditë pas zgjedhjes së Presidentit socialist, për mënyrën se si e definonte funksionin e ri, ajo e kishte pasur të vështirë ta gjente një përgjigje dhe kishte gjetur shprehjen “gazetare e parë”.

Duke ripohuar vullnetin për të vazhduar punën (ajo shkruan kronika letrare për Paris Match) dhe duke vazhduar jetën në një apartament me qera, ajo u zhvendos në Elysee, ku kishte në dispozicion një kabinet të përbërë nga një i ngarkuar me punë, dy sekretarë, një vozitës, nën drejtimin e gazetares së dikurshme Patrice Biaconne.

Grua karakteri, e pavarur, Valérie Trierweiler insistonte në vendosmërinë për të mos heshtur. Nëpërmjet llogarisë së saj në Twitter, ajo bënte që pikëpamjet e saj të dëgjohen gjithmonë. Më 12 qershor 2012, një muaj pasi Hollande hyri në Elysee, ajo shpërndau një mesazh mbështetës për Olivier Falorni, kandidat disident socialist kundër Segolene Royal, ish gruaja e François Hollande.

Kjo “Trierweilergate” shkaktoi zemërim te socialistët dhe miqtë e Presidentit. Këta të fundit thonë se ky moment shkaktoi krisjet e para në çift. Thomas Hollande, i biri i Francois Hollande dhe Segolene Royal, pranon publikisht se ky tweet shkatërroi “imazhin publik” që kishte ndërtuar babai i tij.

Zonja e Parë kishte shpjeguar më vonë se kishte “gabuar”, por dëmi ishte bërë, sidomos në opinionin publik. Ajo qe bërë një nga figurat më të urryera të francezëve. Në mars të vitit 2013, një kalimtar është xhiruar të ketë kërkuar nga François Hollande të mos martohej me Valerie’n. “Ajo nuk të do”. Video kishte bërë xhiron e botës.

Valérie Trierweiler tentoi ta korrigjonte imazhin e vet duke provuar të shkojë hapave të paraardhëseve të saj në Elysee. Ajo u bë Ambasadore e Fondacionit Danieele-Miterrand dhe vazhdoi të paraqitej krah të shoqit në vizita zyrtare. Në dhjetor të vitit 2012 ajo tha se e pranonte se ishte bërë person publik pasi kishte bërë një refuzim të pavetëdijshëm të këtij roli.

Më pas ajo mundohet t’i pajtojë të gjitha rolet e veta, duke filluar nga aktivitetet humanitare, praninë zyrtare, gazetaren e gatshme për t’i mbrojtur bindjet e veta sidomos në favor të martesës për të gjithë.

Muajve të fundit, kishte thashetheme për tensione në çiftin i cili qëndronte larg njëri-tjetrit në udhëtime zyrtare.

Deri në shpërthimin e shkaktuar nga publikimi që bëri revista “Closer”.

Dhe ata të dy përfundimisht u ndanë.