Jeta dhe vepra e aktorit të ndjerë Hazir Myftari

Aktori i shumë filmave të njohur shqiptar si 'Kur pranvera vonohet', 'Proka', 'Tre vetë kapërcejnë malin' Hazir Myftari, ka vdekur në moshën 65 vjeçare.

ShowBiz

29/06/2014 18:12

Pas një sëmundjeje të shkurtër, sot më 29 qershor ka ndërruar jetë aktori i teatrit, filmit dhe televizionit, Hazir Myftari, njofton KultPlus.

Miftari ka vdekur në spitalin e Prishtinës në moshën 65 vjeçare. 

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri Kombëtar i Kosovës. Varrimi i të ndjerit bëhet në varrezat e Prishtinës më 30 qershor ora 13:00 ndërsa e pamja mbahet ne shtëpinë e lindjes në Vushtrri prej 2 deri më 6 Korrik. 

Hazir Myftari u lind me 10 korrik1948 në Vushtrri. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Në vitin 1969 ishte një ndër diplomantët e parë të shkollës së lartë për aktrim në Prishtinë. Në po të njëjtin vit u punësua si aktor në Teatrin Popullor të Prishtinës. Më 1980 diplomoi në Fakultetin e Letërsisë dhe gjuhës shqipe pranë Universitetit të Kosovës. Që nga viti 1981 deri në vitin 1989, Hazir Myftari ishte drejtor i Teatrit Popullor të Kosovës. Për dy vite me rradhë (1981-82) Hazir Myftari ishte kryetar i kryesisë së Festivalit të Filmit Jugosllav në Pullë të Kroacisë.

Ai bën pjesë në mesin e aktorëve të njohur që kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e artit kinomatografik. Është i njohur për rolet e tij të shumta në Teatrin Kombëtar dhe në kinomatografi. Filmat ku ai luajti rol të rëndësishëm janë; “Proka”,”Kur pranvera vonohet”, “Tre vetë kapërcejnë malin” drama “Epoka para gjyqit” etj.

Karriera

Karrierën e tij e fillon me “Perkolgjinajt” (1970) në rolin e Zefit, me tekst të Kolë Jakovës dhe në regji të Muharrem Qenës.

Në vitin 1971 luan rolin e ushtarit amerikan në dramën“Njerëzit me shpresa të thyera” të Shaip Grabovcit dhe në regji të M. Qenës.

Në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (1972) të Ismail Kadaresë, z. Myftari e luan rolin e Specialistit shqiptar në regji të Pirro Manit, mysafirit nga Shqipëria.

Pastaj rolin e XX-it në shfaqjen “Emigrantët” të Mrozhekut më 1977 në regji të Mjeqesllav Georkijeviq (mysafir nga Polonia).

Rolin e Mic Sokolit në shfaqjen “Besa e Madhe” (1976) në regji të Atdhe Gashit.

Vronskin te “Ana Karenina” më 1980 në regji të mysafirit nga Moskva Evgenij Radomilevskij.

Atë të Dorëzës së zezë në “Trungun Ilir” të Sabri Hamitit më1981 në regji të A.Sopit.

Pastaj luan rolin e Klaudit tek “Hamleti” i W.Shakespeare-it në vitin 1982 në regji të regjisorit mysafir nga Anglia Jeremy Young.

Në vitin 1983 luan rolin e Gjon Nikollë Kazazit në shfaqjen“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të J. Buxhovit dhe në regji të A.Sopit, rol ky për të cilin Hazir Myftari u shpërblye me “Çmimin e Dhjetorit”.

Në shfaqjen “Konfiteori” të Shnajderit dhe në regji të Vlado Milcinit, Hazir Myftari luan rolin e Bella Kunit më 1985.

Në “Bregun e Pikëllimit” (1987) të Teki Dervishit dhe në regji të Vlado Milcinit, Myftari luan rolin e Atit të Madh.

Në “Lahutën e Malcisë” (1990) luan Oso Kukën me regji të Çun Lajqit.

Në vitin 2001 luan rolin e Fantazmës te “Hamleti” i Shekspirit në regji të David Gothard, regjisor nga Anglia.

Te “Shfaqja e fundit” (2002) me tekst dhe regji të Fadil Hysës,z.Myftari luan rolin e Madhërisë dhe shumë role të tjera teatrore.

Më 2009 në Teatrin ODA, Hazir Myftari së bashku me Ahmet Pashën, aktor nga Teatrit Kombëtar Tiranës, luajnë në“Emigrantët” e Mrozhekut në regji të Agon Myftarit.

Në vitin 2010 në shfaqjen “Beselam, pse më flijojnë?” nga Rexhep Qosja, në regji të Fatos Berishës luan rolin e Klerikut.

Në “Lidhje Gjaku” nga Sharon Pollok e në regji të Fadil Hysajt, Hazir Myftarin e shohim në rolin e Z. Borden.

Hazir Myftarin e gjejmë edhe në shumë filma artistik me rolet e tij si : Trimi në filmin “Trimi” të Besim Sahatçiut, Ndreka në“Tre vetë kapërcejn malin” në regji të B. Sahatçiut, Kumandari te“Proka” (1985) në regji të Isa Qosjës, si dhe në filmat tjerë si“Njeriu prej dheut”, “Kur Pranver Vonohet”, “Përroi Vërshues”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Etjet e Kosovës” (2005) dhe në serialet televizive si: “Era e Lisi”, “Pasqyra”, “Migjeni”, “Rrëfime nga gjyqi”, “Brenda drejtësisë” etj. /KultPlus.com