Jepet me qira shtëpia e fëmijërisë së Presidentit Trump (Foto)

Shtëpia, ku presidenti amerikan Donald Trump ka kaluar fëmijërinë, është listuar në faqen e internetit të “Airbnb”, si një nga pronat që jepen me qira për 777 dollarë nata.

Fun

12/08/2017 13:19

Shtëpia pompoze e stilit “tudorian” në Quins të Nju Jorkut është tërësisht e mobiluar dhe mund të presë deri në 20 persona. Me 5 dhoma gjumi e 3 tualete e gjysmë, prona sigurisht që i shkon për shtat një presidenti të ardhshëm.

“Të qëndrosh në shtëpinë e një presidenti në detyrë është një mundësi unike dhe e veçantë”, shkruhet në përshkrimin e “Airbnb”.

“Nuk ka ndryshuar shumë që nga koha kur familja Trump jetonte këtu, kuzhina është e njëjta dhe pajisjet pompoze përfaqësojnë stilin dhe luksin, në të cilin familja Trump jetonte”,- vijon përshkrimi.

Vet presidenti amerikan, në një emision televiziv shtatorin e kaluar tha se, shpresonte të riblente pronën që babai i tij, ndërtuesi Fred Trump kishte ndërtuar në vitin 1940. Ajo doli nga tregu menjëherë pas komenteve të tij, me një sipërmarrës që e bleu për 2.15 milionë dollarë në mars.

Dhënia e shtëpisë me qira, sipas përshkrimit të “Airbnb”, nuk ka lidhje me Shtëpinë e Bardhë apo me Trumpin, pavarësisht se banorët e saj të përkohshëm do të mund të gjejnë një statujë të tij në dhomën e ndenjes.

“Ai është një shoqërues i mirë për të parë ‘Fox News’, natën vonë”,- thuhet në përshkrim. /Lajmi.net/