Jepet fjala përfundimtare në rigjykimin për banderolat e ilaçeve

Në gjykimin e tre zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Bersan Kolgecit, Ilir Dushit e Haki Ejupit, rast i cili është kthyer në rigjykim, është dhënë fjala përfundimtare.

Lajme

22/02/2018 23:53

Me këtë rast, prokuroja e rastit, Mirushe Llugiqi, deklaroi se edhe më tutje qëndron pas fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor para se kjo çështje të kthehej në rigjykim.

Sipas prokurores edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në rigjykim pas administrimit të të gjitha provave në mënyrë të plotë është arritur të vërtetohet gjendja faktike dhe sipas saj nuk ka asnjë provë të re me të cilën do të mund të ndryshohej gjendja faktike.

“Deri te kjo gjendje faktike është arritur në bazë të dëshmive dhe provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor në këtë rigjykim të kësaj çështje penale, ashtu që kjo gjendje faktike konsideroj se në mënyrë të plotë është vërtetuar nga administrimi i të gjitha provave të cilat janë propozuar nga ana e prokurorisë dhe janë administruar në seancë të këtij rigjykimi. Nuk ka asnjë provë të re që do të ndryshonte gjendjen faktike sa i përket kësaj çështje penale”, tha në fjalën përfundimtare prokurorja Llugiqi.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Bersan Kolgeci, avokati Muhamet Shala tha se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk manifestohet asnjë element i veprës penale sepse sipas avokatit klienti i tij ka vepruar me përgjegjësi të plotë në bazë të autorizimeve të tij dhe dispozitave ligjore.

“Ngel në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e parë, i ritheksoj disa nga faktet përfundimtare të kësaj çështje juridike, nga të cilat rezulton se në veprimet e të mbrojturit tim Bersan Kolgeci nuk manifestohet asnjë element i vetëm i përgjegjësisë e cila e përbën figurën e veprës penale, keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kjo për arsye se ai ka vepruar në tërësi në bazë të dispozitave ligjore të aplikueshme në kuadër të autorizimeve të tij ligjore, për dhënien e këshillave dhe rekomandimeve përkatëse, dhe e them me bindje të thellë, se në rastin konkret, nuk ekzistojnë as elementet a çfarë do shkelje disiplinore e të mos flasim për përgjegjësi të veprës penale”, deklaroi avokati Shala.

Sipas avokatit Shala klienti i tij ka qenë i detyruar që ta japë atë rekomandim në bazë të detyrave dhe përgjegjësive që ai ka pasur si drejtor i Zyrës Ligjore dhe se ai rekomandim ka qenë vetëm si propozim i cili nuk ka qenë i formës së prerë.

Ndërsa mbrojtësi i Ilir Tolajt, avokati Nikë Shala deklaroi se sipas tij vetë fakti se Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim e vë në pikëpyetje fuqinë juridike të aktakuzës dhe vetë aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

“Vetë fakti se Gjykata e Apelit e pranoi ankesën, ashtu që e ktheu në rigjykim, mbrojtja konsideron se kredibiliteti dhe fuqia juridike qoftë e aktakuzës në njërën anë dhe aktgjykimi i kësaj gjykate në raport me të mbrojturin tim është e paqëndrueshme. Shpresoj se ky trup gjykues edhe njëherë në mënyrë analitike dhe objektive do t’i vlerësoj të gjitha shkresat e lëndës, provat materiale të cilat gjenden në shkresa të lëndës. I propozoj kësaj Gjykate që në rastin konkret të merr aktgjykim lirues dhe i vetmi aktgjykim lirues do të dëshmonte objektivitetin, profesionalizmin që do të jetë model për gjeneratat e ardhshme”, tha avokati Nikë Shala.

Edhe mbrojtësi i Haki Ejupit, avokati Osman Havolli tha se edhe pas procedimit të çështjes në rigjykim, sipas tij Gjykata Themelore prapë nuk ka arritur që t’i eliminojë dilemat për të cilat Gjykata e Apelit kishte vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim.

“Kam parasysh rrethanat se edhe pas zhvillimit dhe procedimit të kësaj çështjeje në rigjykim, kanë ngelë të njëjtat dilema e respektivisht për këtë edhe Gjykata e Apelit mori aktvendim që çështja të kthehet në rigjykim. Mbi bazën e kërkesave të Gjykatës së Apelit, Prokuroria duhet ta rregullojë aktakuzën ose të tërhiqet nga ajo. Ky është detyrim ligjor të cilin Prokuroria është dashur ta përmbushë në raport në kërkesat e Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Duke marrë parasysh se të gjitha këto kërkesa nuk janë respektuar, për mua si avokat mbrojtës rrjedh se nuk kemi aktakuzë fare” tha avokati Havolli.

E vetë i akuzuari Haki Ejupi në fjalën përfundimtare tha se ai asnjëherë nuk ka pasur për qëllim që të pasurohej apo t’i krijonte dikujt tjetër pasuri përmes veprimeve të tij, andaj i njëjti i kërkoi Gjykatës që në rast se ka fakte t’i vërtetojë ato në të kundërtën ta lirojë nga aktakuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Edon Hajrullaga, avokati Skender Musa deklaroi se i mbrojturi i tij nuk është fajtor për veprën e cila i vihet në barrë pasi që sipas tij ai ka qenë në pozitën e drejtorit të kompanisë por që nuk ka qenë përgjegjës për prodhim, e përgjegjës për prodhim tha të këtë qenë Adrian Ukmeta.

“I mbrojturi im Edon Hajrullaga akuzohet për veprën penale prodhim i ndaluar, ndërkaq pozita e tij në fabrikë ka qenë drejtor i kompanisë dhe personi përgjegjës për prodhim në këtë fabrikë ka qenë Adrian Ukmeta. Sa i përket përgjegjësisë për këtë pikë të aktakuzës, i mbrojturi im nuk ka pasur asnjë lloj përgjegjësie lidhur me prodhimin, as përgatitjen e dosjes për t’u pajisur me certifikatën Praktikës së Mirë Prodhuese”, tha avokati Musa.

Gjykata Themelore Bersan Kolgecin e Ilir Dushin i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, ndërsa Haki Ejupit i kishte shqiptuar dënimin prej 5 muaj burg.

Kurse Edon Hajrullagën e kishte dënuar me gjobë prej 10 mijë eurove.

Por më pas Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar kishte vendosur që çështjen ta kthente në rigjykim.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga Prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsye se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese./Kallxo.com