Jep dorëheqje kryeministri i Armenisë

Kryeministri i Armenisë, Serzh Sarkisian ka dhënë dorëheqje, thuhet në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e tij.

Bota

23/04/2018 15:08

Dorëheqja e Sarkisian vjen në kohën kur në Jerevan dhe në qytete të tjera, për të njëmbëdhjetën ditë me radhë, qytetarët kanë protestuar duke kërkuar dorëheqjen e tij

Sarkisian u zgjodh kryeministër më 17 prill, vetëm tetë ditë pasi kishte përfunduar mandatin e dytë si president.

Sipas ndryshimeve kushtetuese të miratuara më 2015 në Armeni, fuqitë kryesore ekzekutive kanë kaluar nga presidenti te posti i kryeministrit.

Sarkisian kishte deklaruar më parë se ai nuk ka për synim të bëhet kryeministër, por pas zgjedhjes së tij në këtë post, protestuesit e kanë akuzuar atë se ka shkelur këtë zotim, vetëm për të qëndruar në pushtet.