Jemeni në duar të rebelëve, Presidenti ik nga pallati

Presidenti i sulmuar i Jemenit është larguar nga pallati i tij në portin jugor të Adenit drejt një vendndodhje të fshehtë, pasi rebelët shiitë ofruan një dëmshpërblim për kapjen e tij dhe arrestuan ministrin e Mbrojtjes.

Bota

25/03/2015 20:15

Presidenti Hadi braktisi pallatin presidencial menjëherë pasi televizionet e rebelëve deklaruan se kishin pushtuar një zonë ajrore ku SHBA dhe Evropa këshillonin vendin në luftën kundër militantëve të Al-Qaeda.

Marrja e qytetit Aden, qendër ekonomike e vendit, mund të shënojë kolapsin e asaj që ka mbetur nga influenca e presidentit Hadi.

E mërkura e ka gjetur qytetin Aden të tensionuar. Shkollat, zyrat qeveritare, dyqanet dhe restorantet janë mbyllur.

Televizionet shtetërore, të kontrolluara tanimë nga rebelët Houthi, ofruan 100,000 dollarë amerikanë për kapjen e Presidentit.

Ministri i Jashtëm i Jemenit i ka dërguar sot një kërkesë zyrtare Ligës Arabe për dërgimin e forcave ushtarake, për të ndërhyrë kundër rebelëve, transmeton Shqiptarja.com.