Java vendimtare drejt UNESCO-s

Sot në Paris nis edhe zyrtarisht punimet Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, e cila do të zgjasë deri më 18 nëntor 2015. Votimi për rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të kësaj Organizate rreth pranimit të plotë të Kosovës pritet të merret më 9 nëntor.

Lajme

03/11/2015 08:07

Kështu Kosova që nga sot hyn në javën e saj të fundit të lobimit rreth pranimit të plotë në këtë Organizatë.

Zyrtarët politikë të vendit do të zhvillojnë takimet e tyre të shumta brenda kësaj jave për të bindur “të pabindurit”. Nga 195 anëtarë sa ka Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s në favor të pranimit të Kosovës në këtë Organizatë duhet të votojnë dy të tretat (2/3) e tyre apo 130 shtete.

Kosovën deri më sot e kanë njohur 111 shtete, andaj për të siguruar pranimin e plotë duhet të sigurojë edhe votat e vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit. Edhe më të vështirë situatën për Kosovën e ka bërë lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës Serbia.

Madje, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia do të luftojë deri në fund.

“Ne do të luftojmë deri në fund. Ky është qëndrim i Qeverisë së Serbisë, kryeministrit dhe presidentit. Ne nuk kemi asgjë më të rëndësishme”, ka thënë Daçiq, i cili ka pranuar se kjo do të jetë një luftë me përfundim të paqartë deri në fund.

Ndërkohë Ardian Arifaj këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë për Zëri se Kosova së bashku me partnerët ndërkombëtarë është duke bërë gjithçka që votimi të shkojë në favor të Kosovës.

“Jemi duke lobuar shumë. Të gjithë jemi vënë në shërbim të lotimit për në UNESCO. Duhet të pranojmë se edhe Serbia është duke lobuar në anën e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, ka thënë Arifaj.

Dilema rreth rezultatit të votimit ka edhe analisti i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti.

Sipas tij, sot gjithçka do të varet nga cilësia e lotimit të Kosovës për të siguruar votat e mjaftueshme.

Ai ka shpjeguar se nëse Kosova pranohet në UNESCO, hapet rruga edhe për në Këshillin e Evropës./ Zëri