Java e ardhshme vendimtare për Maqedoninë

Maqedonia mbylli disa çështje të ndejshme, dhe prandaj edhe krahas skepticizmit të Francës duhet të marrë datë për fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian, mendon zëvendës-kryeministri për eurointegrime Bujar Osmani.

Lajme

23/06/2018 23:02

Në intervistën e dhënë për TV21, ai tha se Maqedonia ka punuar shumë në këtë drejtim dhe prandaj javën tjetër pret vendim pozitiv nga Brukseli.

“Do të citoj vetëm një fjali të Macronit – BE duhet të hapet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryetari Macron është i bindur se anëtarësimit i rajonit në BE është politikë, investim ekonomik dhe sigurinë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, natyrisht, këto debate të brendshme, dhe skepticizmi i brendshëm, zgjerimin e vendosin si të panevojshëm dhe irracional në kontekstin e luftës kundër migracionit”, tha Osmani.

Pas marrëveshjes së nënshkruar për emrin me Greqinë dhe njoftimin të cilin pala greke duhet ta dorëzojë në Bruksel, hapi i ardhshëm është referendum të cilin duhet ta organizojë qeveria e Maqedonisë, për të cilin tha se do të jetë obligativ. Nga LSDM sot në konferencë për shtyp thanë se Marrëveshja zgjidh një problem të vjetër dhe bënë thirrje për mbështetje të kësaj marrëveshjeje në referendum, shkruan tv21.tv.

“Para nesh kemi një mundësi historike. Qytetarët në referendum do ta kenë fjalën e fundit. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Në referendum të themi PO, për një identitet të garantuar maqedonas, të themi PO për anëtarësim në NATO dhe BE, të themi PO për ardhmëri”, u shpreh Kostandin Kostandinov, LSDM.

VMRO-DPMNE e përsëriti qëndrimin e vet se kryeministri Zoran Zaev ka dakorduar marrëveshje të keqe.

“VMRO-DPMNE ka qenë gjithmonë e orientuar kah perëndimi dhe duhet të dihet se anëtarësimi është rezultat i një sistemi të mirë meritash, jo rezultat i asaj që mund të shitet. Nga ana tjetër tani të gjithë duhet të jetojmë me pasojat nga marrëveshja të cilën e nënshkroi Zoran Zaev”, u shpreh Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Këshilli i BE-së më 28 dhe 29 qershor duhet ta shqyrtojë çështjen për fillim të bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Zëdhënësja e KE, Maja Kocijanqiq mbrëmë përmes konferencës për shtyp tha se vendimi është në duart e ministrave për punë të jashtme të vendeve anëtare të Unionit.

“Vendimin ngelet që ta sjellë Këshilli, vendet anëtare të BE-së. Ne me të vërtetë e kemi rritur angazhimin për rajonin. Integrimi i rajonit është i mirë për vetë rajonin, Evropën dhe për sigurinë e saj”, tha Kocijançiq.

Dritë jeshile për datë për fillimin e negociatave për Maqedoninë dhanë Holanda dhe Gjermania.