Java e albanologjisë trajtoi pesë sesione

Konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila është mbajtur në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ka trajtuar pesë sesione të ndryshme si letërsi, gjuhësi, folklor, etnologji dhe histori.

Lajme

29/05/2016 10:20

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë për KosovaPress se një nga temat më interesante që ka zgjuar interesim më të madh ka qenë përkthimi i standardizuar.

“Është mbajtur sesioni i gjuhësisë që ka pasur në fokus shqipen në fushën e përkthimeve dhe çështjet e standardizimit të përkthimit në gjuhën shqipe. Një temë tejet interesante e cila zgjoi një interes të veçantë si të përkthyesve, ashtu edhe të studiuesve që të merren me vlerësimin e fushës së përkthimtarisë së sotme në gjuhën shqipe. Debatet, temat, diskutimet ishin vërtetë interesant lidhur me këtë çështje, ne kishim studiues nga e gjithë hapësira jonë, u dhanë disa vlerësime lidhur me gjendjen e përkthimit sot, u konstatua se përkthehet shumë dhe veçmas në Republikën e Shqipërisë më shumë se sa pjesë tjera, të cilët janë shqiptarët por gjithashtu u shtruan edhe brengat lidhur me nivelin jo gjithnjë të kënaqshëm të përkthimeve dhe ndonjëherë edhe me aspektin komercial që shfaqet përmbi cilësinë e përkthimit si element mbizotërues”, ka thënë ai.

Matoshi ka thënë se ka qenë edhe sesioni i degës së letërsisë në të cilën është trajtuar letërsia dokumentare, ku kishte po ashtu numër të madh të referuesve në të cilën janë trajtuar biografitë, autobiografitë, dokumentarët, memoaret, epistolarë të ndryshëm etj.

“Sesioni i folklorit në të cilën temë bosht është këngë popullore si refleksion për jetën, teksti, tekstura dhe konteksti, ndonëse për këngën popullore është shkruar edhe në të kaluarën, dimensioni që do të trajtohet ditën e sotme besoj se do të jetë një hedhje drite e re mbi këngën, mbi tekstin e saj, mbi rolin e saj dhe mbi konteksti n në të cilin ka lindur kënga popullore shqipe. Sesioni i degës së etnologjisë në të cilin trajtohet trashëgimia shpirtërore, ruajtja përkujdesja për të dhe promovimi, do të thotë një objekt i rëndësishëm i diskutimeve përtej akademike, sepse çështja e trashëgimisë është një çështje vërtetë e ngutshme për kohën në të cilën ne po kalojmë veçanërisht në rrethanat në të cilat trashëgimia shpirtërore dita ditës zhduket, sidomos ajo tradicionale e cila është ruajtur për shekuj”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Java e Albanologjisë është përmbyllur me sesionin e historisë.

Drejtori Hysen Matoshi tha se sivjet historianët kanë vendosur të trajtojnë temën perandoria habsburgiane dhe roli i saj në Ballakan.

Ndërkohë, Instituti Albanologjik i cili është organizator i kësaj jave të shkencës në vendin tonë, të gjitha shpenziemt e organizimit po i mbulon vet.

Drejtori Matoshi ka thënë se Instituti këtë eveniment e ka paraparë qysh në fillim të vitit.

“Java e albanologjisë sivjet organizohet për vitin e shtatë dhe ne e kemi në programin e punës do të thotë që në fillim të vitit të buxhetimti të vitit veprimtarisë vjetore të Institutit. Ne e parashikojmë si aktivitetin qendror krahas edhe shumë aktiviteteve tjera por në këtë rast ne gjithë kapacitetin tonë edhe kadrovik, profesional edhe financiar e orientojmë që ta mbajmë aktivitetin me të cilin ne tash e shtatë vjet identifikohemi dhe në këtë pikëpamje ne nuk kemi pas probleme dhe nuk kemi pas kërkesa shtesë në raport me institucionet tona meqë i gjithë veprimtaria e këtij aktiviteti ka qenë e mbuluar dhe e paraparë në buxhetin e këtij viti”, ka deklaruar ai.

Edhe sivjet, nga 136 pjesëmarrës sa ishin gjithsej në këtë konferencë shkencore, një e treta e pjesëmarrësve j anë nga Instituti, një e treta nga institucione tjera të Kosovës dhe pjesa e fundit vijnë nga vende të Ballkanit apo edhe më gjerë.

Numri i albanologëve pjesëmarrës sivjet është 136 të cilët do t’i paraqesin 125 kumtesa nënë pesë sesionet. /kp