Jashari: Nuk kemi asgjë në lidhje me sinjalet e telefonave të dy policëve

Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari ka folur për KALLXO.com në lidhje me raportimin e mediave për sinjalet e telefonave të kapur nga Posta dhe Telekomi i Kosovës të policëve të aksidentuar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, në vendin e quajtur “Kulla me qeshme”.

Lajme

02/05/2018 21:56

“Sa i përket sinjaleve për të cilat pyetët nuk kemi asgjë në lidhje me këtë gjë”, tha Jashari për KALLXO.com.

Më herët KALLXO.com raportoi se Prokuroria ka intervistuar katër persona në lidhje me zhdukjen e dy policëve.

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës konsiderohen të zhdukur që nga e shtuna në mbrëmje, kur me veturën zyrtare besohet se ranë në rrjedhën e lumit Lepenc.

Që nga ajo natë, kanë nisur kërkimet për gjetjen e tyre. Të shtunën në mbrëmje është gjetur vetëm vetura në të cilën besohet se ishin dy policët.

Kërkimet po kryhen nga pjesëtarë të Policisë, të FSK-së e qytetarë vullnetarë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili sot sërish ishte në vendin ku ka ndodhur aksidenti, tha se ka mundësi që uji i shpejtë t’i ketë nxjerrë trupat e dy policëve edhe jashtë Kosovës.

Ai tha se ka biseduar me homologun maqedonas, Zoran Zaev, për mundësinë e kërkimeve në territorin e Maqedonisë por janë marrë vesh se njëherë duhet të kryhen kontrollet në tërë rrjedhën e lumit që është në Kosovë.