Japonia i bashkohet stërvitjeve ushtarake SHBA-Australi

Japonia do t’i bashkohet për herë të parë stërvitjes masive ushtarake mes SHBA-ve dhe Australisë, duke sinjalizuar kështu përforcimin e lidhjeve të sigurisë mes tri vendeve, për shkak të acarimit të tensioneve mbi ndërtimet e Kinës në një ishull, pranë detit të Kinës Jugore.

Bota

26/05/2015 19:34

Edhe pse do të jenë vetëm 40 oficerë dhe ushtarë japonezë, që do të marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta amerikano-australiane prej 30 mijë forcash, në fillim të korrikut, ekspertët thonë se lëvizja e fundit tregon edhe njëherë dëshirën e Washingtonit për të nxitur bashkëpunimin mes aleatëve aziatikë të vet në fushën e sigurisë.

Stërvitjet që do të zhvillohen në rajonet përreth Australisë, do të përfshijnë operacione detare, zbritje amfibe, taktika të forcave speciale dhe luftë urbane.

Të tri shtetet kanë bërë të ditur se janë shqetësuar së tepërmi për shkak të mungesës së lirisë së lëvizjes përmes deteve apo ajrit në zonën e shumëpretenduar të detit të Kinës Jugore, ku Kina nga ana e saj po krijon 7 ishuj artificialë në arkipelagun “Spratly”, një korridor jetik për kalimin e anijeve.

Disa ekspertë sigurie thonë se Kina mund të vendosë kufizime ajrore dhe detare në “Spratly”, sapo të ketë përfunduar punimet ndërtuese, që përfshijnë gjithashtu të paktën një pistë zbritjeje ajrore. Kina pretendon se ka të gjitha të drejtat për të krijuar një Zonë Identifikuese të Mbrojtjes Ajrore, edhe pse kushtet aktuale nuk e garantojnë një të tillë.

Kina pretendon thuajse pjesën më të madhe detare në detin e Kinës Jugore, zona ku mbivendosen edhe pretendimet e Filipineve, Vietnamit, Malajzisë, Tajvanit dhe Bruneit.

Sa i përket stërvitjes, personeli japonez do t’u bashkohet forcave amerikane, ndërkohë që 500 trupa ushtarake nga Zelanda e Re do t’i bashkohen kontigjentit australian. /TCH/