Januzaj, talent si Rooney

David Moyes ka thënë se Manchester United është shumë pranë arritjes së marrëveshjes afatgjate për vazhdimin e qëndrimit të Adnan Januzaj në Old Trafford. Ai e lavdëroi yllin e ri kosovar si “talent i jashtëzakonshëm”, në rang me Wayne Rooneyn. 18-vjeçari bëri debutimin më të mirë të mundshëm si titullar për Unitedin kur realizoi dy…

Sport

19/10/2013 08:44

David Moyes ka thënë se Manchester United është shumë pranë arritjes së marrëveshjes afatgjate për vazhdimin e qëndrimit të Adnan Januzaj në Old Trafford.

Ai e lavdëroi yllin e ri kosovar si “talent i jashtëzakonshëm”, në rang me Wayne Rooneyn. 18-vjeçari bëri debutimin më të mirë të mundshëm si titullar për Unitedin kur realizoi dy golat në fitoren 2-1 ndaj Sunderlandit në xhiron e shkuar dhe në dy javët e fundit ka qenë një prej futbollistëve më të përfolur në Evropë.

“Rrallë herë dikush luan çdo javë për Manchester Unitedin dhe ju nuk mund të prisni që një 18-vjeçar ta bëjë këtë”, deklaroi menaxheri i Unitedit, i cili u mundua të zbret parashikimet mbi Januzajn.

Por, ai nuk hezitoi ta lavdërojë atë. “Ai është vërtetë futbollist i mirë, në gjendje të luajë në pozita të ndryshme, vetëm koha do të tregoj se sa i mirë do të bëhet. Ai mund të luajë edhe si qendërsulmues, me shpinë nga porta, ai është i mirë në depërtime nga e majta, e djathta e ndoshta me pak më tepër përvojë, edhe numër 10″.

“Ai është krijues i golave por e patë kundër Sunderlandit se edhe di të shënojë. Është talent i jashtëzakonshëm. Mund ta vlerësoj vetëm në bazë të talenteve që kam parë deri më tani, e që është njësoj si ata. Në këtë listë ishte edhe Rooney”, u shpreh skocezi.