Januzaj sikur Ronaldo

Statistikat e Adnan Januzajt me ato të Cristiano Ronaldos në sezonin e parë në Manchester United janë pothuajse identike. Por, a do ta arrijë ylli kosovar nivelin e futbollistit kryesor të Real Madridit?

Sport

11/05/2014 12:39

Adnan Januzaj po shkon hapave të Cristiano Ronaldos. Ylli kosovar ka statistika pothuajse të ngjashme me ato të yllit portugez, në sezonin e parë në Manchester United.

CR7 kishte realizuar numër të njëjtë golash sa futbollisti nga Istogu, 4, në sezonin e parë në Old Trafford.

Edhe statistikat tjera në mes të dy futbollistëve janë pothuajse identike. Të dy futbollistët arritën në Angli nga një vend tjetër, të etur për t’i treguar vlerat e tyre.

Dhe, ata ia dolën. Ronaldo e bindi menaxherin Sir Alex Ferguson, njëjtë si Januzaj, trajnerin tashmë të shkarkuar, David Moyes.

Ronaldo u bë legjendë e United dhe lëizi drejt Real Madridit në vitin 2009. Ndërkaq, Januzaj u bë lojtar i rëndësishëm i Unitedit muajt e fundit. Pritet të shihet nëse istogasi do të bëhet lojtar i madh si 29 vjeçari nga Lisbona.

Momentalisht, Januzaj ia kalon Ronaldos në aspektin financiar. Në fakt, përfaqësuesi më i ri i Belgjikës ka rrogë më të mirë se ish futbollisti i Unitedit, në sezonin e parë tek ‘Djajtë e Kuq’.