Januzaj për çmimin e BBC’së

BBC ka publikuar emrat e dhjetë kandidatëve për çmimin e sportistit më të mirë të ri për vitin 2013, në mesin e tyre është edhe ylli kosovar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj. 18-vjeçari do të shpresojë të bëhet pasardhës i bashkëlojtarit Wayne Rooney, i cili e fitoi çmimin më 2002, por prezenca e tij si…

Sport

03/12/2013 11:49

BBC ka publikuar emrat e dhjetë kandidatëve për çmimin e sportistit më të mirë të ri për vitin 2013, në mesin e tyre është edhe ylli kosovar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj.

18-vjeçari do të shpresojë të bëhet pasardhës i bashkëlojtarit Wayne Rooney, i cili e fitoi çmimin më 2002, por prezenca e tij si kandidat është pak sa e befasishme duke pasur parasysh se ai ka bërë vetëm disa paraqitje për ekipin e parë të Unitedit këtë edicion.

Januzaj lindi në Bruksel por ka mundësi të zgjedhë mes disa shteteve sa i përket të ardhmes së tij ndërkombëtare.

Edhe pse nuk është britanik, ai është kandidat për çmimin e BBC’së pasi është rezident dhe luan në Britaninë e Madhe dhe arritjet e tij më të mëdha janë bërë në Angli e jo për një ekip Kombëtar.

Januzaj është në garë kundër atleteve, Dina Asher-Smith dje Jess Jugg, golfistit Charley Hull, qitëses Amber Hill, notarit James Guy, notares paralimpike Amy Marren, peshëngritëses Rebekah Tiler, garuesit në karrocë, Isaac Towers dhe garueses në stilin slalom me kanoa, Kimberley Woods.

Januzaj si Mesut Ozil

Ish mbrojtësi i Manchester Unitedit, Henning Berg beson se Adnan Januzaj mund të zhvillohet në futbollist të nivelit botëror dhe beson se kualitetet e tij janë të ngjashme me ato të yllit të Arsenalit, Mesut Ozil.

“David Moyes ka thënë se i mungojnë një ose dy futbollistë të nivelit botëror që ekipi të zhvillohet në një prej skuadrave më të mëdha në Evropë, por mendoj se ka disa të rinj kualitativ që kanë depërtuar së fundmi”, deklaroi ai.

“Januzaj ma kujton Mesut Ozilin sa i përket temperamentit të tij, gatishmërisë dhe kuptimit. E kam thënë këtë në momentin e parë që e kam parë”, u shpreh ai.