Januzaj paguhet më shumë se Messi e Ronaldo

Adnan Januaj ka rrogë më të mirë se yjet botërore si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, kur ishin në moshë të tij. Për talentin 19 vjeçar, Paris Saint Germaini e ofroi një rrogë të pabesueshme, por ai i mbeti besnik Manchester Unitedit.

Sport

07/05/2014 12:21

Menaxheri i Adnan Januzajt, zbulon se ylli i Manchester Unitedit ka rrogë më të madhe sesa që kishin yjet e klasit botëror si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, kur ishin 18 vjeçar.

Përfaqësuesi belg bëri 33 paraqitje këtë sezon, pasi iu dha rasti të debutojë me ekipin e parë nga ish menaxheri, David Moyes, ndërsa nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Unitedin në muajin tetor të vitit të shkuar.

Edhe pasi nënshkroi kontratë profesioniste, atë vazhdimisht e kërkoi Paris Saint-Germain, por edhe klube tjera evropiane.

“Unë vetëm mund të them se ai është futbollisti i ri më i paguar në botë”, deklaroi Dirk De Vriese për Sport/Voetbalmagazine.

“Në moshën 18 vjeçare, ai kishte kontratë më të majme sesa Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi në atë moshë. Kjo do të thotë vërtetë shumë dhe jam mjaft krenar për këtë”, vazhdoi ai.

“Të gjitha klubet e mëdha janë interesuar për të, posaçërisht Paris Saint-Germain, i cili e dëshironte me çdo kusht”.

“Pesë minuta para se ta nënshkruanim vazhdimin e kontratës, një përfaqësues i presidentit nga Katari na ofroi ne një kontratë të jashtëzakonshme”.

“Pasi Adnani mund të largohej si një lojtar i lirë, investitorët katarianë ishin në gjendje të bënin gjithçka”, përfundoi menaxheri i Januzajt.