Januzaj, inspirim për Pereiran

Andreas Pereira ka arritur në Manchester United nga PSV Eindhoven me një reputacion të madh dhe me synim që të bëhet pjesë e rregullt e ekipit U-21 të ‘Djajve të Kuq’, që udhëhiqet nga Warren Joyce. Në intervistën e parë për uebfaqen zyrtare të klubit, mesfushori belg ka treguar se inspirimin e gjen tek futbollisti…

Sport

27/03/2014 14:00

Andreas Pereira ka arritur në Manchester United nga PSV Eindhoven me një reputacion të madh dhe me synim që të bëhet pjesë e rregullt e ekipit U-21 të ‘Djajve të Kuq’, që udhëhiqet nga Warren Joyce.

Në intervistën e parë për uebfaqen zyrtare të klubit, mesfushori belg ka treguar se inspirimin e gjen tek futbollisti kosovar, Adnan Januzaj, po ashtu me nënshtetësi belge, duke u munduar t’i ndjek hapat e tij në karrierë.

“Është motivuese ta shoh atë duke luajtur mirë dhe duke bërë gjithçka në mënyrën e duhur, sepse në këtë mënyrë, ju e dini se çka duhet të bëni”, deklaroi fillimisht talenti belg.

“Adnani e shfrytëzoi mundësinë e tij dhe bëri jashtëzakonisht mirë. Tash, ai është pjesë e rregullt e ekipit të parë. Ne gjithmonë dalim jashtë së bashku”, vazhdoi Pereira.

Januzaj ishte transferuar nga Anderlechti në Manchester, duke u vendosur fillimisht me ekipin e të rinjve, me të cilin pati sukses të jashtëzakonshëm, ndërsa nga ky sezon është pjesë e ekipit të parë në Old Trafford.

19 vjeçari ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me ‘Djajtë e Kuq’, edhe pse për të interesim kishin shfaqur Bayern Munichu, Barcelona, Juventusi dhe Manchester City.