Januzaj, dritë në sytë e Unitedit

Shumëkujt mund t’i duket e çuditshme që kampioni në fuqi i Premierligës të varet nga shfaqja sporadike e talentit të një 18-vjeçari i cili nuk bëri asnjë paraqitje në elitë deri në shtatorin e këtij viti. Por, kjo është duke i ndodhur Manchester Unitedit dhe menaxherit David Moyes, me rastin e talentit kosovar Adnan Januzaj,…

Sport

11/12/2013 09:40

Shumëkujt mund t’i duket e çuditshme që kampioni në fuqi i Premierligës të varet nga shfaqja sporadike e talentit të një 18-vjeçari i cili nuk bëri asnjë paraqitje në elitë deri në shtatorin e këtij viti.

Por, kjo është duke i ndodhur Manchester Unitedit dhe menaxherit David Moyes, me rastin e talentit kosovar Adnan Januzaj, shkruan e përditshmja britanike Daily Mail.

Edhe një herë tjetër të martën mbrëma, kundër Shakhtar Donetskut në Ligën e Kampionëve, United vuajti të krijojë diçka nga loja e hapur, njësoj siç u ndodhi në dy disfatat e javës së kaluar në Premierligë nga Everton dhe Newcastle United.

Goli nga Phil Jones erdhi pas një goditje nga këndi dhe reagimit të dobët të mbrojtjes së Shakhtarit. Pa dyshim, talenti sulmues i Januzaj është premtim i madh.

Ai e përshkruan një futbollist tradicional të Unitedit në çdo kuptim: teknikë të shkëlqyeshme, asnjëherë nuk fshihet, gjithmonë e tregon topin dhe vazhdimisht mundohet të kundërsulmoj me shpejtësi.

Kundër Shakhtarit, Januzaj sërish shfaqi shenja të potencialit të tij, njësoj siç bëri kundër Newcastles të shtunën.

18-vjeçari luajti për 90 minutat e plotë kundër Shakhtarit që edhe pse nuk ishin perfekt, treguan se ngadalë po e arrin pjekurinë dhe kërcënimin sulmues në paraqitjen e tij të parë në garën elite të klubeve evropiane.

Me Antonio Valencian nën nivel, dhe Nanin më tepër dëshpërues se krijues, Old Trafford rrallë herë ka parë kualitet nga krahët, siç është mësuar në të kaluarën.

Ashley Young luajti dobët të martën mbrëma, Shinji Kagawa dështoi të bëjë atë që pritet prej tij. Kurse, Januzaj, është duke e shfrytëzuar çdo mundësi që i ofrohet.