Januzaj do ta ndezë Botërorin

Ryan Giggs thotë se Adnan Januzaj mund të ndezë Kampionatin botëror nëse përfshihet në ekipin e Belgjikës. Legjenda e Manchester Unitedit po ashtu mendon se përvoja në Brazil do të ndihmonte zhvillimin e mesfushorit.

Sport

10/05/2014 10:16

Ryan Giggs beson se Adnan Januzaj mund ta ndezë Kampionatin botëror nëse ftohet nga Belgjika, do të të rikthehet në Manchester United më i mirë nga përvoja.

Depërtimi i mesfushorit të talentuar, ka qenë një prej aspekteve më pozitive të sezonit dëshpërues në Old Trafford.

Dhe, pas muajve të spekulimeve, Januzaj pritet të ftohet nga selektori i Belgjikës, Marc Wilmots për Botërorin në Brazil.

Giggs nuk sheh asnjë problem me përfshirjen e Januzajt, pavarësisht moshës së re, dhe beson se Botërori mund të ndihmojë zhvillimin e tij.

“Përvoja në Kampionatin botëror është diqka që kurrë nuk duhet hequr nga futbollistët e rinj dhe Adnan është futbollist i atillë që mund të ndezë Kampionatin botëror, nëse hyn si rezervist ose i fillon ndeshjet”, deklaroi Giggs.

“Netë më parë kundër Hull Cityt, isha i kënaqur sa herë që Adnani e merrte topin. Ai shkon lirshëm me topin. Është një prej atyre futbollistëve që ju pëlqen ta shikoni duke luajtur”, u shpreh ikona e klubit nga Old Trafford.