Janjiq: Vizita e Daçiqit sjellë përmirësim të raporteve, por jo epokë të re

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, do të arrijë nesër në Prishtinë, por jo për t’u takuar me përfaqësues të strukturave paralele serbe, por si pjesëmarrës në një konferencë rajonale.

Lajme

24/03/2015 15:05

Shefi i diplomacisë serbe, për herë të parë do të qëndrojë në Kosovë, i ftuar zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, për të marr pjesë në Konferencën e Ballkanit Perëndimor “Western Balkans 6”, së bashku me ministrat tjerë të shteteve të rajonit.

Pasi është vizita e parë e këtij lloji të një zyrtari të lartë serb, reagimet në opinionin serb pritet të jenë dukshme, por jo edhe të skajshme.

Kështu të paktën e sheh analisti dhe drejtori i Forumit për raporte ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, i cili në një prononcim për lajmi.net, ka thëne se kjo konferencë do të shtojë bashkëpunimin në mes dy vendeve.

Ai, pjesëmarrjen e Daçiqit në këtë konferencë që pritet të mbahet të mërkurën në Prishtinë, e sheh si një vizitë kthyese ndaj asaj të ish ministrit të jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, të zhvilluar muaj më parë në një takim rajonal në Beograd.

“Kjo është një vizitë kthyese e ministrit Ivica Daçiq, pas asaj të ish ministrit Enver Hoxhaj në Beograd, ku ishte thënë se ka pasur takime konstruktive në mes këtyre dyve. Kështu që nuk shoh arsye që kjo atmosferë të mos vazhdojë edhe në Prishtinë”.

“Mendoj se kjo konferencë është në të mirë të Beogradit dhe Prishtinë, pasi që përçohet një mesazh se dialogu për normalizim po vazhdohet”.

“Sa i përket reagimeve nga opinioni publik në Beograd, nuk pres që ato të jetë të mëdha, përveç atyre grupeve djathtiste dhe shoviniste”.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin e parë, Hashim Thaçin, kanë thënë se njohja e Kosovës nga Serbia do të ndodhë në një të afërme jo të largët, para se ky shtet fqinjë të anëtarësohet në BE. Por, sipas Janjiqit, me pjesëmarrjen e Daçiqit në këtë konferencë, nuk do të nisë ndonjë epokë të re, e cila do të rezultonte me njohje reciproke.

“Mund të them se Thaçi dhe Daçiq janë shokë të mirë dhe takimi i tyre nuk paraqet ndonjë gjë të re. Kjo konferencë e dal nga Samiti i Berlinit, besoj që po sjellë një atmosferë të re të komunikimit”.

“Kjo konferencë nuk do të sjellë një epokë të re në raportet në mes të dy vendeve, pasi që mandati i Daçiqit është në përfundim e sipër. Është e rëndësishme që dy shtetet përmes këtij takimi, të vazhdojnë kontaktet e ndërsjella”, ka thënë Janjiq.  (Lajmi.net)