Janjiq: Nëse do prekej Thaçi merr fund Daçiqi dhe partia e tij

Dushan Janjiq vlerësoi se paralajmërimet e Beogradit për arrestimin e kryediplomatit kosovar, Hashim Thaçi, po qe se ai hyn në Serbi, mund të rezultojnë edhe me fundin e partisë SPS që udhëhiqet nga Daçiq.

Lajme

23/04/2015 20:07

Analisti i njohur nga Beogradi, Dushan Janjiq po qëndron në Kosovë. Në një intervistë për RTK-në, Janjiq vlerësoi se paralajmërimet e Beogradit për arrestimin e kryediplomatit kosovar, Hashim Thaçi, po qe se ai hyn në Serbi, mund të rezultojnë edhe me fundin e SPS-it, rrjedhimisht edhe të kryediplomatit serb Daçiq.

Janjiq tha se Daçiq nuk mund të jetë edhe pro-evropian edhe trim millosheviqian, duke aluduar se një mendësi e tillë mund të pëlqehet nga Rusia por nuk i kontribuon të ardhmes së Serbisë dhe stabilitetit të Ballkanit.

E pse kjo klimë e keqe politike, kush është fajtor për këtë?

Është vështirë të thuhet se kush është fajtor. Kemi fragmentime politike. Nga koha e Millosheviqit e këndej nuk ka pasur përparime të mëdha. Ne tani kemi në Qeveri njerëz nga epoka e Millosheviqit, të cilët mundohen t’i përshtaten Evropës, mirëpo të cilët kanë shumë shprehi të vjetra si psh, propagandë e madhe. Kjo gjë qytetarët i fut në kope.

Si e vlerësoni paralajmërimin e Serbisë që Thaçi do të arrestohet nëse shkel në Serbi?

Qeveria e Kosovës dhe Hashim Thaçi me mjeshtëri kanë vepruar në tërë këtë situatë. Ne e dimë se në 97-ën, një gjykatë e çuditshme në Prishtinë e ka dënuar Hashim Thaçin me 10 vjet burgim. Unë mendoj se ajo ka qenë revansh për shkak të pjesëmarrjes në Rambuje.

Sipas Janjiqit, kryediplomati kosovar me zgjuarsi e ka shfrytëzuar situatën duke kërkuar sqarim rreth rastit dhe tani çdo gjë është e qartë. Vendimi për burgim ekziston dhe Qeveria në Serbi nuk e ka parë të arsyeshme ta shfuqizojë…

Janjiq: Ajo çfarë është më e rëndësishme, është fakti se disa politikanë pavarësisht që janë në gjendje të përqafohen me Hashim Thaçin, të përshëndeten, të arrijnë marrëveshje, kur kthehen në fshatrat e tyre në Serbi, janë shumë të gatshëm të rrahin gjoks në mënyrë millosheviqiane. Mendoj se në tërë këtë aferë më së shumti e ka pësuar Ivica Daçiq, i cili ka dëshmuar mungesë parimesh njerëzore.

Keni parasysh, Serbia shumë njerëz i ka paditur, jo vetëm Hashim Thaçin, për këtë ai duhet të jetë krenar. Serbia e ka paditur edhe Bill Clintonin edhe Tony Blairin edhe Javier Solanën…

Janjiq beson se nga tërë kjo aferë rreth paralajmërimeve për arrestimin e Thaçit ka vetëdijesuar klasën politike në Serbi për të vepruar më mençur.

Ky paralajmërim a e ka kthyer Serbinë në kohën e Millosheviqit, kohë e cila nuk ka sjellë asgjë të mirë pos luftërave?

Janjiq: Mendoj se kjo cfarë ka ndodhur është pozitive ngase tregon se si një ministër i punëve të jashtme, i cili para 3 apo 5 ditësh vjen në Prishtinë, sillet shumë komod e s’ka asnjë problem, përnjëherë kthehet në Beograd dhe tregon fytyrën tjetër, fytyrën e keqe. Dhe kjo, në këtë trend është një lloj çlirimi nga SPS-i. Mendoj se kjo shumë ka kontribuar që ne të përshëndetemi me Ivica Dacicin dhe ndoshta edhe të fitojmë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të SHBA-ve që ta trimërojmë Vuçiqin dhe të tjerët që thjesht të mos bëjnë aso lloj ujdish me Moskën, që të ketë njerëz të tillë në Qeveri.

Pra, unë pres një riformatim të Qeverisë të Serbisë dhe pres që ata që më shumë e duan Rusinë sesa Serbinë e Ballkanin – të shkojnë, le të shkojnë në Qeverinë e Moskës, përse të mos vendosen në kabinetin e Putinit dhe të punojnë si këshilltarë për marrëdhënie me Serbinë e Ballkanin. Më mirë është kjo sesa ata të dërgojnë serbët e Serbinë në një aventurë të panjohur, që ne, ku ta di, për interesa të dikujt tjetër të krijojmë urrejtje, në vend se të punojmë për atë çfarë kemi nënshkruar. A kemi nënshkruar me Thaçin e Mustafën që t’i përmirësojmë marrëdhëniet mes vete, t’i ndërtojmë autostradat. Kjo është një shkollë e mirë për Vuçiqin që nuk mund të tolerojë më, ia kanë tepruar Vullini, Daçiqi.

Sido që të jetë, Janjiq në një është i sigurt, ditëlindjen e Thaçit do ta festojë i vetëm në konferencë.

Janjiq: Por edhe nga kjo ka dalë diçka e mirë, ne e dimë që problemi ekziston, bashkësia ndërkombëtare e di se ekziston, ministrat e tjerë të jashtëm janë tërhequr nga pjesëmarrja në atë konferencë, kështu që me siguri nesër do të jem unë i vetmi në atë konferencë që nga larg do t’ia festojë ditëlindjen Thaçit…